image Rinia Demokratike aksion simbolik për 1 Maj, ia kujton Qeverisë ikjen e profesionistëve

Sociale

Rinia Demokratike aksion simbolik për 1 Maj, ia kujton Qeverisë ikjen e profesionistëve

news image

Rinia Demokratike e Kosovës me valixhe në duar iu drejtua ndërtesës së Qeverisë për të simbolizuar ikjen e profesionistëve nga vendi, në shënim të 1 Majit – Ditës së Punëtorëve.

Kryetarja e të rinjve të PDK-së, Arbnora Salihu, ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ka përmbushur premtimin për krijimin e një ambienti të favorshëm për të gjithë punëtorët, “pavarësisht kategorisë apo moshës së tyre”.

Ky dështim, sipas saj, jo vetëm që cenon stabilitetin ekonomik, “por gjithashtu detyron shumë qytetarë të kërkojnë perspektivë më të mire jashtë vendit”.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, bashke me rininë e PDK-se jemi mbledhur para Qeverisë, ne qëndrojmë këtu, të detyruar nga një realitet i hidhur që na nxit të shprehim shqetësimin që prek jo vetëm rininë, por çdo shtresë të shoqërisë sonë. Këtu bashke me mua janë 7 të rinj të cilët përfaqësojnë vetëm disa nga profesionet: policët, zjarrfikësit, mjekët/infermieret, minatorët, mësuesit, ndërtuesit dhe kamerierët. Secili mban nga një valixhe në duar, një simbol i fuqishëm i zgjedhjes së hidhur që shumë qytetarë tanë janë të detyruar të marrin rrugën e migrimit, dhe kjo flet shumë për kushtet në të cilat punojnë punëtorët tanë dhe mundësitë që shtrihen përtej kufijve tanë, dhe jo brenda. Qeveria Kurti nuk e ka përmbushur premtimin për krijimin e një ambienti të favorshëm për të gjithë punëtorët, pavarësisht kategorisë apo moshës së tyre. Ky dështim jo vetëm që cenon stabilitetin tonë ekonomik, por gjithashtu detyron shumë qytetare të kërkojnë një perspektivë më të mire jashtë vendit, duke e shteruar burimin tonë më të çmuar, njerëzit tanë, rininë tonë”, ka thënë Salihu, transmeton EO.

Rinia e PDK-së nga ky aksion kërkoi siguri në çdo vend pune, mbulim gjithëpërfshirës sigurimesh si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, trajtim të drejtë dhe meritor në vendin e punës, kompensime adekuate të rrezikut për të gjitha profesionet me rrezikshmëri të lartë dhe vende të reja të punës për rininë dhe programe aktive për t’i aftësuar e ndalur në Kosovë.

“Këto nuk janë vetëm kërkesa, këto janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një mjedis i drejtë pune, më e pakta që meritojnë punëtorët tanë. Së bashku, ne qëndrojmë për dinjitetin e çdo punëtori në Kosovë, sepse kur punëtorët mbështeten dhe vlerësohen, i gjithë shteti qëndron më i fortë”, ka deklaruar Salihu.

/GazetaSinjali/