Këngëtari i njohur Butrint Imeri ka shënuar një rikthim të fuqishëm në skenën muzikore dhe në rrjetet sociale, duke ndezur reagime të shumta pozitive menjëherë pas paralajmërimit të albumit të tij më të ri “I Pari”, i cili pritet të publikohet më 10 qershor 2026.
Artistit i është rikthyer vëmendja e madhe e fansave pas një periudhe heshtjeje që nga muaji janar, ndërsa projekti i ri po cilësohet si një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij artistike, me një qasje më personale dhe emocionale në muzikë.
Në mes reagimeve të shumta pozitive në rrjet, vëmendje të veçantë kanë marrë mesazhet e prindërve të këngëtarit, të cilët kanë ndarë krenarinë dhe emocionin e tyre për rrugëtimin e tij artistik.
Nëna e tij ka shkruar një mesazh tejet emocional, duke kujtuar fillimet e hershme të Butrintit në muzikë dhe sakrificat e familjes gjatë rrugës së tij drejt suksesit.
“Jam shumë krenare teksa shoh këtë projekt të realizuar, për të cilin ke punuar me aq shumë mund, përkushtim dhe dashuri. Ishe vetëm 17 vjeç kur nise rrugëtimin tënd në muzikë… kjo periudhë na dha kohën të jemi më afër njëri-tjetrit dhe të krijojmë kujtime që do t’i ruaj gjithmonë në zemër. Vazhdo të shkëlqesh, biri im. Krenaria dhe dashuria ime për ty nuk kanë fund,” ka shkruar ajo.

Edhe babai i këngëtarit ka ndarë një mesazh po aq emocional, duke theksuar rëndësinë e reflektimit dhe kthimit te vetja përpara një projekti kaq të madh artistik.
“Sot ndjej krenari që shoh jo vetëm artistin që po rritet, por edhe njeriun që po formohet. Çdo fjalë, çdo ndjenjë dhe çdo sakrificë ka vlerë. Vazhdo të jesh i vërtetë me veten, sepse suksesi më i madh nuk është fama, por të mos humbasësh kurrë atë që je. Urime për ‘I PARI’ dhe për guximin që ta ndash shpirtin tënd me njerëzit,” ka shkruar ai.

Albumi “I Pari” po shihet si një projekt i rëndësishëm në karrierën e Butrint Imerit, ndërsa pritjet për publikimin e tij janë rritur ndjeshëm mes fansave dhe publikut të gjerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!