Komuna e Prishtinës ka njoftuar se është dhënë pëlqimi nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), duke i hapur rrugë rifillimit të punimeve për ndërtimin e Tregut të Gjelbër.
Sipas Drejtorisë së Transformimit në Komunën e Prishtinës, ky vendim përbën një hap të rëndësishëm në realizimin e projektit që synon krijimin e një hapësire moderne për qytetarët dhe prodhuesit vendorë.
Në njoftim theksohet se pas marrjes së miratimit nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, janë përmbushur kushtet për vazhdimin e punimeve në terren.
Gjithashtu, Komuna e Prishtinës e ka cilësuar projektin si një investim të rëndësishëm urban, që synon përmirësimin e infrastrukturës tregtare dhe krijimin e kushteve më të mira për shitësit dhe konsumatorët.
Krahas njoftimit, autoritetet komunale kanë publikuar edhe materialet vizuale të projektit, duke paraqitur planin e hapësirës së re të Tregut të Gjelbër.
Punimet pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, në përputhje me planin e miratuar nga institucionet përkatëse.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!