Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës bashkë me Policinë kanë kryer sot bastisje në furrën e shndërruar në restorantin ‘Bukë e zemër’ dhe banesën e pronarit të saj, Ridvan Muharremi, i cili është arrestuar nën dyshimet se është përfshirë në keqpërdorimet me rezervat shtetërore. Po ashtu bastisje dhe arrestime u kryen edhe në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku u prangosën dy zyrtarët, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, raporton Gazeta Sinjali.
PSRK nëpërmjet një komunikate për media bën me dije se tre të arrestuarit dyshohen për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Ndërkaq, gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.
Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.