image Richard Grenell: Të dyja palët janë fajtore që s’pati progres në Bruksel

Politikë

Richard Grenell: Të dyja palët janë fajtore që s’pati progres në Bruksel

news image

Ish -Emisari i Presidentit Trump për bisedimet Kosovë -Serbi Richard Grenell, ka komentuar rreth takimit të 14 shtatorit në Bruksel. Ai thotë se të dyja palët janë fajtore që s’pati progres, por thekson se komuniteti ndërkombëtar është unik sa i përket veprimeve të Kurtit në Veri – i kanë dënuar ato.

Sipas Grenell, në Departamentin Amerikan të Shtetit, njerëzit që punojnë aty, janë të frustruar me Kryeministrin Kurti, duke paralajmëruar se do të ketë pasoja për të. Grenell thotë se është admirues i Presidentit Thaçi ndërsa thekson se ai ndodhet në Hagë për shkak të urretjes së ish -Kryeprokurorit Jack Smith ndaj ish -Presidentit Trump.

Grenell ka folur edhe për Marrëveshjen e Uashingtonit në 3 vjetorin e saj ku thotë se për moszbatimin e saj janë fajtore të dy palët. Ai tha se administrata e Biden bëri një gabim rreth ujdisë që u nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë.

Mendoj se në fillim lajmi i mirë është se Administrata e Joe Biden, kur erdhi në pushtet pas Presidentit Trump, priti marrëveshjet dhe tha se këto janë gjëra të mira, kështu që kjo ishte një hap i madh, pasi tani të dyja partitë, Republikanët dhe Demokratët, i pritën këto marrëveshje si një hap pozitiv. Ishte vërtet një hap i rëndësishëm dhe sigurisht që është i mirë për popullin e Kosovës që të ketë mbështetjen e Republikanëve dhe Demokratëve për përparimin në normalizimin ekonomik. Mendoj se shkak për këtë ishte marrëveshja në të cilën negociuam një moratorium prej një viti, kështu që Kosova nuk do të përpiqej për një vit të kërkonte nga ndonjë organizatë ndërkombëtare ose vend për të mbështetur pavarësinë e saj dhe në të njëjtën kohë nuk do të kishte një fushatë de-legjitimimi nga qeveria e Serbisë.

Ata nuk do të kërkonin që njerëzit të mos njihnin më Kosovën. Pra, do të zbatonim një ndalim për një vit. Vizioni ishte se gjatë këtij viti të parë, kishim nevojë të bënim shumë progres. Viti i parë ishte vërtet i rëndësishëm. Por, Administrata e Joe Biden nuk emëroi asnjë person për të mbikëqyrur këtë marrëveshje. Nuk kishte person të emëruar nga Departamenti i Shtetit, nuk kishte person të emëruar nga Presidenca për të mbikëqyrur këtë. Dhe kështu, mendoj se kjo ishte një problem. Kur Administrata e Joe Biden injoroi Kosovën, Serbinë dhe gjithë rajonin e Ballkanit, vërtetë pamë një mungesë të vullnetit politik, sepse nuk kishte presion. Qëndrimi i Joe Biden ishte që Evropa dhe Brukseli duhet të merrnin udhëheqjen dhe SHBA-të duhet të tërhiqeshin prapa.

Mendoj se kjo është një ide e tmerrshme për popullin e Kosovës dhe Serbisë dhe për gjithë rajonin që SHBA-të të thonë publikisht se nuk do të jenë më udhëheqës në këto negociata. Mendoj se njerëzit që ndjekin këtë intervistë, të gjithë kuptojnë se ka shumë fjalë nga Evropianët dhe BE-ja, por jo shumë veprime. Amerikanët sjellin veprime, ne jemi më të pa-durueshëm. Ne shtyjmë të dyja palët të bëjnë gjëra. Kur Joe Biden vendos të mos kujdeset për rajonin dhe të tërhiqet prapa dhe të lejojë Evropianët të marrin udhëheqjen, mendoj se kemi parë gjatë tre viteve të fundit që ka qenë një katastrofë”, u shpreh Grenell pët T7.

/GazetaSinjali/