Mbi një e treta e kutive me vota nga diaspora tashmë janë numëruar, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje po prin bindshëm në votimin me postë, duke iu afruar kështu edhe ulëses së 52-të. Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në përditësimin e orës 16:40 janë numëruar 58 nga 156 kuti, apo 37.18 për qind.
Lëvizja Vetëvendojes prin me 68.84 për qind, apo 14,658 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës është e dyta me 16.59 për qind, apo 3,533 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 7.41 për qind, apo 1,578 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.26 për qind, apo 1,120 vota.
Të dhënat paraqesin rezultatet aktuale nga platforma e KQZ-së për votimin me postë, pas numërimit të 58 nga 156 kuti votimi.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se, sipas procedurave, zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime, pas procesit të vlerësimit, janë sistemuar në kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar.
“Sipas procedurave, zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime, pas procesit të vlerësimit janë sistemuar në kuti votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar. Deri në këtë kohë, janë përgatitur dhe regjistruar në platformën e rezultateve 156 kuti votimi”, tha ai.
Në njoftim thuhet se kuti të tjera votimi do të shtohen në platformën e rezultateve deri në përmbylljen e procesit të vlerësimit të të gjitha pakove të tërhequra nga kutitë postare të KQZ-së.
Votimi përmes postës është mundësuar nga 21 maji deri më 6 qershor 2026, ndërsa numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës ishte rreth 105 mijë.
Krahas numërimit të fletëvotimeve, në QNR po vazhdon edhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës.
“Po ashtu, në QNR ka vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës”, thuhet në njoftimin e Elezit.
Deri në përfundim të ditës së shtunë, në procesin e vlerësimit janë përfshirë 75,590 pako, prej të cilave 72,746 janë aprovuar, ndërsa 2,844 janë refuzuar.
“Deri në përfundim të ditës së shtunë (13 qershor 2026) në procesin e vlerësimit janë përfshirë 75,590 pako, prej të cilave janë aprovuar 72,746, ndërkaq janë refuzuar 2,844”, thuhet më tej.
Sipas KQZ-së, procesi i vlerësimit të të gjitha pakove pritet të përmbyllet gjatë ditës së sotme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!