image Rezoluta për Jasenovacin në Mal të Zi, Charles Michel anulon vizitën atje

Rajon

Rezoluta për Jasenovacin në Mal të Zi, Charles Michel anulon vizitën atje

news image

Mediat në Mal të Zi raportojnë se është shtyrë vizita e Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, për shkak të zhvillimeve të fundit.

Arsyeja jozyrtare, sipas gazetës “Vijesti” është miratimi nga Parlamenti malazez i rezolutës për gjenocidin në kampet e Jasenovac, Dachau dhe Mauthausen.

Më herët ishte njoftuar se Michel do të shkojë për një vizitë zyrtare në Mal të Zi më 2 dhe 3 korrik, me ftesë të presidentit të vendit, Jakov Milatoviq.

Përveç takimit me Milatoviqin në Cetinje dhe konferencës për media, Michel ishte paraparë të takohej me kryeministrin Milojko Spajiq dhe anëtarët e qeverisë, si dhe të mbajë fjalim në Kuvend të mërkurën, për çka ishte caktuar një seancë e veçantë.

Por, kjo s’do të ndodhë.

Parlamenti i Malit të Zi miratoi të premten Rezolutën për gjenocidin në kampet e sistemit Jasenovac, Dachau dhe Mathausen.

Jasenovac është një kamp ku, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ekzistencës katërvjeçare të Shtetit të Pavarur të Kroacisë (NDH), janë likuiduar masivisht kryesisht serbë, romë, hebrenj dhe kroatë antifashistë.

Por, kjo rezolutë paraqet një kundër reagim politik ndaj rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, e cila u mbështet nga Qeveria e Malit të Zi në Kombet e Bashkuara më 23 maj.

Reagimet nga Zagrebi kanë qenë të menjëhershme. Ministria për Punë të Jashtme dhe të Evropës ka shprehur keqardhjen që Mali i Zi ka vendosur të injorojë thirrjet e “Republikës së Kroacisë për të mos politizuar viktimat e Jasenovacit dhe për të mos ndërmarrë hapa që mund të kenë ndikim negativ në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në rrugën evropiane të Malit të Zi”.

Profesori në pension i Fakultetit Filozofik në Zagreb, Zharko Puhovski, ka komentuar pasojat e miratimit të Rezolutës në parlamentin e Malit të Zi.

“Nuk e shoh se cili mund të jetë motivi i vërtetë nga Mali i Zi për ta bërë këtë, por mund të shoh se cili mund të jetë motivi nga Beogradi. Ishte diçka e formuluar shpejt, në mënyrë të ngathët, saqë, për shembull, flasin për 22 Prillin si ditën e krimit më të madh në vitin 1945, dhe kjo ishte dita kur krimi u ndal. Ajo ishte dita kur kampi i Jasenovacit u mbyll”.

“Po, ka pasur gjenocid në Jasenovac. Ai gjenocid u dënua disa herë nga shteti modern kroat. Mbi të gjitha shteti modern kroat nuk konsiderohet pasardhës i Shtetit të Pavarur të Kroacisë (NDH). Ne e dënojmë veçanërisht sepse këto janë krime në emër të Kroacisë dhe e dënojmë bashkë me të gjithë, por dënojmë edhe lojën tuaj politike me Rezolutën”, ka thënë Puhovski.

Anulimin e vizitës në Bruksel e kanë konfirmuar edhe Michel edhe Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq, i cili në mungesë të vizitës së zyrtarit të lartë evropian do të shkojë në Bruksel të martën.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq duke komentuar tha se ka gabuar në vlerësimin e tij se Kuvendi i Malit të Zi nuk do të miratojë rezolutë për gjenocidin në Jasenovac.

“Unë them më falni, urime” tha Vuçiq.

/GazetaSinjali/