Britania e Madhe është gati të bëjë revolucion në transport, krejt kjo si një masë kujdesi ndaj Covid- 19.
Sipas një shkrimi të “Reuters”, 14 milion njerëz janë të gatshëm të shkëmbejnë veturat për biçikleta, ka njoftuar Çiklizmi Britanik.
Mirëpo, mundësia mund të humbet nëse qytetet dështojnë të ndjekin udhëzimet e Departamentit për Transport për të ofruar një infrastrukturë të re emergjente si shtigje të caktuar për biçiklistë.
Ndonëse janë zbutur masat kufizuese që ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, udhëtimi me autobusë dhe trena nuk po preferohet për shkak të shqetësimit se nuk mund të mbahet distanca fizike. Qeveria ka njoftuar për një pako financimi prej 2 miliardë funte për “udhëtim aktiv” si çiklizmin dhe ecje, ku 250 milionë funte janë menjëherë në dispozicion për autoritetet lokale për të bërë ndryshime në rrugët e tyre.
Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, e ka përshkruar këtë si mundësi për “epokën e artë për çiklizmin”. Çiklizmi Britanik ka thënë se do të bashkëpunojë me autoritetet në këtë aspekt.
“Vendi ynë padyshim se është në udhëkryq, dhe tash përballemi me një zgjedhje mes rutinës së vjetër të veturave, ngarkesës së madhe dhe ndotjes apo të ardhmes së re me rrugë të shëndetshme, njerëz të lumtur dhe ajër më të pastër. Gjithë hulumtimet tona tregojnë se njerëzit duan të përdorin më tepër biçikletën, dhe i bëjnë thirrje autoriteteve lokale të përdorin këtë moment dhe të shfrytëzojnë përkrahjen e ofruar nga qeveria”, ka thënë kryetarja e British Cycling, Julie Harrington./ Gazeta Sinjali/