Një vlerësim publik dhe mirënjohje e thellë ka ardhur nga banorët e fshatit Malësi e Vërrinit për Valmir Bali Avdaj, djali i Dëshmorit Bali Avdaj, i cili aktualisht është Shef i Repartit të Dializës në Spitalin e Prizrenit.
Përmes një postimi të ndjerë dhe të mbushur me respekt, banorët kanë vlerësuar lart jo vetëm profesionalizmin e tij në menaxhimin e repartit – i cili falë punës së tij dhe bashkëpunimit me donatorët ka arritur suksese të dukshme – por edhe përkushtimin e tij personal ndaj komunitetit. Valmir Avdaj është kthyer në një pikë referimi për ndihmë dhe mbështetje për çdo banor të fshatit që ka nevojë për trajtim apo shërbim shëndetësor.
“Jemi falënderues që kemi një figurë si ai në mesin tonë, që nuk harron rrënjët, nuk mbyll derën për askënd dhe mbështet çdo banor me përkushtim e zemërgjerësi”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e fshatit.
Sinjali i bashkohet kësaj mirënjohjeje publike për një profesionist që me dinjitet dhe përkushtim nderon jo vetëm familjen dhe kujtimin e të atit Dëshmor, por gjithë komunitetin që i beson dhe mbështetet në humanizmin e tij.
Respekt për punën, suksesin dhe vlerat që përfaqëson!
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!