Maqedonia e Veriut të martën ka regjistruar 22 të vdekur dhe 872 të infektuar me koronavirus, shifra këto më të lartat në tre muajt e fundit, bazuar në të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik në Shkup.
Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në Shkup gjithsej 459 persona, ndërsa rastet e tjera në 32 qytete të ndryshme të vendit.
Të shëruar janë evidentuar 412 persona nga analizat e bëra pas testimit të 3,394 mostrave në laboratorët e Maqedonisë së Veriut.
Për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozimin e Komisionit të Sëmundjeve Infektive për ndalimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 06:00.
Vendimi hyn në fuqi nga dita e mërkurë dhe do të zgjasë dy javë, por masa mund të zgjasë apo edhe të ndryshojë varësisht gjendjes epidemiologjike.
“Ne kemi parasysh se në prill nis edhe Muaji i Ramazanit, por kemi edhe festa tjera, prandaj vlerësoj se vendimi ka rol parandalues. Do të veprojmë varësisht gjendjen që do të kemi. Kemi miratuar edhe masën e karantinës së detyrueshme për qytetarët tanë që kthehen nga Afrika”, ka deklaruar kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.