image Remitencat nga diaspora këtë vit pritet të jenë mbi 1 miliardë euro

Financa

Remitencat nga diaspora këtë vit pritet të jenë mbi 1 miliardë euro

news image

Dërgesat nga bashkatdhetarët sivjet kanë shënuar një trend rritës dhe pritet që deri në fund të vitit të arrijnë mbi 1 miliard euro.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në tre mujorin e parë të këtij viti remitencat kanë arritur shumën prej 250 milionë euro ose rreth 60 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Përkundër krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia Covid-19, remitencat më 2020 shënuan rritje 120 milionë më shumë se në vitin 2019.  Kurse nga Instituti Rinvest deklarojnë se në 10 vitet e fundit, remitencat kanë arritur vlerën e mbi 7 miliardë euro.

Visar Vokrri, drejtor programor në Institutin Riinvest thotë se sipas kalkulimeve që janë bërë vlera ose kontributi i diasporës përveç remitencave për gjatë një viti kalendarik është edhe më i madh me shpenzime dhe investime.

Vlera e remitencave besoj që do të kalojë 1 miliardshin këtë vit, pasi kohëve të fundit po shohim edhe lirim të masave sa i përket lëvizjes së qytetarëve, prandaj besoj që këtë vit, në këta muajt e verës do të kemi një fluks të diasporës në Kosovë dhe kësisoj besoj që kontributi i tyre do të vazhdoj ashtu siç ka qenë ndoshta edhe më i madh për ekonominë e Kosovë”,  thotë ai për KP.

Ai ka shtuar se pjesa e dërmuese e remitencave shpenzohen për konsum ditor, por deklaron se këto vitet e fundit ka pasur edhe ndryshime ngase ka investime edhe nga diaspora. Për këtë, sipas Vokrrit diaspora duhet të trajtohet me një ligj të veçantë.

Edhe profesori universitar, Muhamet Sadiku, deklaron se lidhja e bashkatdhetarëve me Kosovën ka qenë gjithnjë e fuqishme dhe ka vazhduar një trend i dërgesave të mëdha të cilat janë gati sa gjysma e buxhetit të Kosovës, respektivisht rreth 13 për qind e Bruto Produktit Vendor.

Ai shtoi se një pjesë e madhe e këtyre parave shkojnë në mbulimin e importit të madh, pasi Kosova i ka 2,4 miliardë euro në vit import.

Sipas studimeve të ndryshme, për orientimin e remitencave në investime, Kosova duhet të ndërtojë një mjedis biznesor të favorshëm për investitorë të huajë e nga diaspora./Gazeta Sinjali/