Gazeta feministe “Grazeta” pas rasteve të fundit të ngacmimeve dhe dhunimeve seksuale ka nisur një peticion drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë duke bërë kërkesë që të vihet në funksion një regjistër publik i abuzuesve seksualë, si dhe të bëhen publik emrat e tyre. Sipas tyre, ky regjistër u jep mbrojtje të mbijetuarve të dhunës dhe minimizon mundësitë që akti i njëjtë të përsëritet.
Sipas shoqërisë civile dhe njohësve të çështjeve juridike thonë se ky regjstër është mënyrë primitive dhe jo efektive në trajtimin e këtyre rasteve.
Anton Nrecaj, këshilltar i lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se krijimi i një regjistri publik nuk është mënyra e duhur për t’i trajtuar abuzimet seksuale.
“Sa i përket kërkesës e iniciativës në fjalë konsideroj që fillimisht është e pamundur, sepse ne nuk mund të kopjojmë sisteme të tjera, kornizën ligjore duhet t’ia adaptojmë mentalitetit të cilës jetojmë. Pastaj nëse një person është i akuzuar për një vepër penale për krime seksuale, ai i nënshtrohet një procesi gjyqësor dhe në bazën e saj ai e merr ndëshkimin”, thotë Ndrecaj.
Ai më tutje shton se publikimi i një liste të tillë është njëjtë si të linçohen personat, qytetarët, për një vepër të pahijshme, dhe se kjo i takon kohërave të mesjetës ku personat të cilët kanë bërë vepra të pahijshme janë linçuar nga shoqëria.
“Ne jetojmë në shekullin 21 dhe i nënshtrohemi standardeve evropiane dhe ndërkombëtare ku respektohen të drejtat e njeriut”, ka theksuar Nrecaj duke shtuar se as pamjet e abuzimeve seksuale nuk duhet të shfaqen në media dhe rrjete sociale pasi është në kundërshtim me etikën e gazetarisë si dhe me Ligjet e Kosovës.
Sipas aktivistes Leonida Molliqaj, nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), kjo formë nuk është efektive, dhe po ashtu mund të pengojë në gjykimin e rastit. Edhe Molliqaj pajtohet se një regjistër i tillë do të dërgonte individët deri të linqimi i tyre. /Gazeta Sinjali/