Një 53-vjeçar nga Rahoveci ka përfunduar nën hetim për veprën penale “Mospërfillja e Gjykatës”, pasi dyshohet se ka refuzuar zbatimin e një vendimi gjyqësor për monitorim elektronik.
Gazeta Sinjali mëson se bëhet fjalë për S. Isufin, ndaj të cilit Gjykata Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec, Divizioni Civil, kishte lëshuar urdhër mbrojtës me vendosjen e pajisjes elektronike për monitorim.
Sipas burimeve, autoritetet kanë humbur kontaktin me të dyshuarin përmes sistemit të monitorimit, ndërsa gjatë komunikimit telefonik me zyrtarët policorë, ai dyshohet se ka refuzuar vendosjen e pajisjes elektronike dhe nuk ka pranuar të tregojë adresën ku ndodhej.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, Policia ka iniciuar rastin për veprën penale “Mospërfillja e Gjykatës”.
Ndërkohë, njësitet policore janë angazhuar për lokalizimin e të dyshuarit, me qëllim të kompletimit të rastit dhe ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme procedurale.
Për zhvillimet e radhës, pritet të përgatitet raport plotësues.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!