image Refuzoi kontrollin në Vërmicë, Dogana nis procedurë kundërvajtëse ndaj një shtetasi të huaj

Kosovë

Refuzoi kontrollin në Vërmicë, Dogana nis procedurë kundërvajtëse ndaj një shtetasi të huaj

news image

Një shtetas i huaj është përballur me procedurë kundërvajtëse pasi nuk iu bind urdhrit të zyrtarëve doganorë për kontrollin e automjetit në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, gjatë kontrolleve rutinë në hyrje të vendit, drejtuesi i një automjeti me targa të një shteti fqinj deklaroi se nuk kishte mallra për t’i deklaruar. Megjithatë, zyrtarët doganorë kërkuan hapjen e bagazhit për një kontroll fizik, bazuar në procedurat dhe kompetencat ligjore.

Në vend që të bashkëpunonte me autoritetet, drejtuesi i automjetit refuzoi urdhrin dhe u largua nga pika kufitare pa iu nënshtruar kontrollit.

Dogana bëri të ditur se, falë koordinimit të shpejtë me Policinë Kufitare të Kosovës, personi u identifikua dhe ndaj tij u iniciua procedurë kundërvajtëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Sipas autoriteteve, refuzimi i zbatimit të urdhrit të ligjshëm të zyrtarit doganor sanksionohet me gjobë që varion nga 300 deri në 3,000 euro, varësisht nga rrethanat e rastit dhe dispozitat ligjore në fuqi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/