Komisioni Komunal Zgjedhor i Bujanocit sot vendosi të refuzojë ankesën e Partisë Socialiste mbi bazën se nuk kanë ofruar ndonjë dëshmi ligjore lidhur me pretendimet e tyre se në vendvotimin në Tërrnoc të Madh kishte parregullsi në ditën e zgjedhjeve.
Në lidhje me ankesën e Partisë Socialiste të Serbisë dhe pas vendimit të Komisionit Zgjedhor është deklaruar vetë Shaip Kamberi, i cili tha se “shpresoj se ankuesit do ta kuptojnë situatën, se nuk ka pasur parregullsi dhe nuk do ta vonojë të gjithë procesin’, transmeton Gazeta Sinjali
Sipas rezultateve të zgjedhjeve të përsëritura në Tërrnoc të Madh, mediat serbe raportojnë se koalicioni i shqiptareve ka fituar një mandat në Kuvendin e Serbisë, e që me fitimin e mandatit të deputetit Shaip Kamberi Partia Socialiste mbetet në anën tjetër me një mandat më pak.
“Epo, është e qartë se socialistët po humbasin një mandat për këtë, dhe shpresoj që zvarritja e tyre të mos jetë e motivuar etnikisht. Mbi 13.000 votat që mori lista jonë është një tregues i qartë se shqiptarët duan integrim. Anulimi eventual i zgjedhjeve do të jetë sinjal për ne se ka forca në Serbi që i shqetëson kjo”, ka thënë Shaip Kamberi.
Rezultati tetë me pesë ishte totali i votave që vendosi KKZ-ja me mandate të përhershëm dhe të zgjeruar, nënkupton rezultat kundër ankesës së socialistëve.
Pas këtij vendimi të KKZ-së hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura me 3 prill dhe tutje kështu formimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Serbisë, edhe pse SPS ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në afat prej 72 orëve.
Lidhur me këtë vendim të KKZ-së ka reaguar edhe Daçiq, i cili ndër të tjera ka deklaruar se “po, do të ankohemi për vendimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve të Bujanocit, i cili na e ka refuzuar kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve në Tërnovc të Madh për shkak të parregullsive zgjedhore”.