Komisioni për rishqyrtimin e ankesave të kandidatëve për kryeprokuror të shtetit, ka shqyrtuar ankesat e kandidatëve Armend Hamiti, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.
Bëhet e ditur se ankesat e kandidatëve për kryeprokuror të shtetit, ishin në bazat e moszbatimit të ligjit, moszbatimit të dispozitave të rregullores për emërimin e kryeprokurores dhe për poentim të pasaktë.
Pas analizimit të këtyre ankesave, komisioni i cili përbëhej nga prokurorët Veton Shabani, Ardian Hajdaraj dhe Jehona Grantolli, kanë gjetur se ankesat e secilit kandidat për kryeprokuror të shtetit janë të bazuara në pjesën e poentimit të pasaktë.
Baza e aprovimit të ankesave të kandidatëve në fushën e poentimit, ka qenë për shkak se sipas kandidatëve që kanë ushtruar ankesën dhe sipas vlerësimit të komisionit, në disa raste anëtarët e komisionit për përzgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit gjatë poentimit të kandidatëve nuk kanë dhënë arsyetim të duhur në raport me rregulloren lidhur me emërimin e kryeprokurorit të shtetit.