image Referët e basketbollit qe 4 muaj pa paga – FBK nuk u gjen zgjidhje, por merr gjyqtarë të huaj

Basketboll

Sport/ Referët e basketbollit qe 4 muaj pa paga – FBK nuk u gjen zgjidhje, por merr gjyqtarë të huaj

news image

Tashmë po bëhen katër muaj prejse gjyqtarët e basketbollit në Kosovë, nuk kanë marrë asnjë cent nga paga e tyre. Kësisoj, pjesa e dytë e sezonit do të fillojë sonte, ndërsa drejtësinë në ndeshje do ta ndajnë gjyqtarët e rajonit e jo ata kosovarë.

Përkundër kërcënimeve me bojkot, Federata e Basketbollit të Kosovës, ende nuk e ka gjetur asnjë zgjidhje për t’i paguar gjyqtarët kosovarë, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndeshjet e Xhiros së 17-të në stinorin pranveror nuk do të referohen nga referët kosovarë, por nga ata të rajonit si nga: Shqipëria, Maqedonia e vende të tjera.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, gjatë një bisede telefonike.

Ai gjatë bisedës ka thënë se në pamundësi që t’i paguajnë borxhet që kanë ndaj gjyqtarëve për këta muaj, FBK-së iu është dashur të gjejnë zgjidhje jashtë Kosovës.

“Na referat i kemi të siguruar, do të referojnë ata prej  jashtë. Problemi është që nuk është zgjidhje e përhershme ajo. Referët janë prej Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, për momentin, mandej kemi me marrë edhe prej vendeve të tjera nëse kemi këso lloj telashe”, ka thënë ai për Gazetën Sinjali.

Më tutje, Fetahu ka thënë se ai është takuar personalisht me referat, por që ata nuk kanë pranuar që të referojnë ndeshjet e Xhiros së 17-të, pa ua paguar borxhin.

Ai ka thënë se u ka ofruar një zgjidhje gjyqtarëve, se disa nga pagat do t’i marrin tani dhe disa të tjera më së largu deri në muajin mars. Por, sipas tij një gjë e tillë nuk është pranuar nga ta.

“Personalisht kam fol me ta edhe ju kam tregu që do t’i kryejmë borxhet përveç nëntorit që është më voluminoz, para fundit të janarit dhe para fundit të marsit do ta mbërrijmë zero – zero. Por, ata nuk kanë pranuar, kanë shantazhuar realisht. Ata që patjetër duhet me ua paguar para se me ja nisë kjo xhiro edhe ne nuk e kemi pasë këtë mundësi dhe është dashtë me bo zgjidhjen. E kjo zgjidhje shpresoj që të mos jetë afatgjatë, por mundet të jetë edhe afatgjatë, nëse ata vazhdojnë me bojkotuar”, ka thënë ai.

Gazeta Sinjali, ka kontaktuar edhe me kryetarin e Shoqatës së Gjyqtarëve të Basketbollit, Artan Gashin, por që i cili nuk ka dashur të flas. Ai ka thënë se së shpejti gjyqtarët e basketbollit kosovar do të dalin me një reagim për media./Gazeta Sinjali/