Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, mohon të jetë përfshirë në skandalin e njohur si “zhvatja” ku dyshohet të jetë përfshirë edhe prokurorja speciale, Katica Janeva.
Dy bashkëpunëtor të Janevës i kanë marrë afaristit, Orce Kamçev 1.5 milion euro, që ta shpëtojnë nga paraburgimi lidhur me një aferë tjetër korruptive me godinën e VMRO-së opozitare.
Lidhur me këtë skandal, gazeta italiane, “La Verita”, ka publikuar video incizime në të cilat shihen protagonistët e skandalit duke marrë paratë e premtuara, ndërsa në një prej tyre dëgjohet një bashkëpunëtor i Janevës duke premtuar se për këtë çështje ka biseduar dhe do të bisedojë edhe me kryeministrin, Zoran Zaev, që të mos ketë probleme lidhur me këtë aferë.
“Në mënyrë kategorike i hedhë poshtë këto gënjeshtra apo çfarëdo qoftë lidhje, bashkëpunim ose komunikim me të dyshuarin, Bojan Jovanovski, në lidhje me rastin ‘Zhvatja. Pres që hetimet për këtë çështje të përfundojnë sa më shpejtë dhe fajtorët të dalin para ligjit. Përgjegjësit apo trilluesit dhe ata që bëjnë gjithçka për të shpëtuar, nuk mund të hiqen si viktima. Ato që thuhen në audio-përgjim janë gënjeshtra dhe marrëzi të qëllimshme për të përforcuar pozicionin dhe fuqinë para bashkëfolësit ”, ka shkruar Zaev në llogarinë e tij në Facebook..
Në audio-përgjimin që është publikuar këtë të shtunë, dëgjohet se si Bojan Jovanovski i njohur si Boki 13, i cili është edhe pronar joformal i një televizioni, afaristi Orce Kamçev dhe prokurorja speciale Katica Janeva, janë në komunikim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin.
Jovanovski flet për miqësinë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe fotot që ai ka bërë me të në studiot televizive.
Partia opozitare VMRO DPMNE edhe njëherë ka dalë me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe arrestimin e kryeministrit, Zoran Zaev dhe të prokurores, Katica Janeva. Opozita akuzon edhe prokurorinë publike se qëllimisht po zvarrit hetimin për këtë skandal.