Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se Serbia po vazhdon përdorimin e mekanizmave ndërkombëtar për të mbrojtur kriminelët, dhe thotë që është e papranueshme që vazhdojnë pengesat procedurale ndaj Kosovës.
Ai tregon që më 4 tetor 2019 Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës i kishte paraqitur Ministrisë së Drejtësisë së Hungarisë kërkesën për ekstradim, të Ljubisha Manitasheviq nga Hoqa e Madhe e Rahovecit, i akuzuar për vrasjes në tentativë.
Por pas kësaj, Ministria e Drejtësisë e Serbisë kishte paraqitur kërkesë konkurruese për ekstradim.
Kështu Hungaria vendosi që të lartëcekurin ta ekstradoi në Serbi, me arsyetimin se është shtetas serb dhe sipas tyre në rast të dënimit me burgim, ai do mund ta vuante dënimin e tij në Serbi.
“Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi dhe Serbia duhet të mbushet mend se drejtësia është univerzale dhe kriminelët duhet të ndëshkohen. Menjëherë do t’iu drejtohemi autoriteteve hungareze për të kërkuar të drejtën tonë që drejtësia të realizohet”, u shpreh Selimi./ Gazeta Sinjali/