Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar me një deklaratë të ashpër, duke adresuar siç thotë ajo përpjekjet për ndikim, presion dhe diskreditim ndaj institucionit.
Në reagim thuhet se:
“Ka përfunduar koha kur dikush mendonte se Oda e Avokatëve e Kosovës mund të shantazhohej, të frikësohej apo të nënshtrohej përmes artikujve të porositur, fushatave të koordinuara apo presioneve të maskuara si ‘gazetari e pavarur’.”
Po ashtu, Oda thekson se:
“Ka përfunduar koha kur, në emër të ‘sundimit të ligjit’, përfitoheshin fonde të majma, ndërsa ato shfrytëzoheshin për të ndërtuar mekanizma presioni, linçimi dhe diskreditimi ndaj kujtdo që nuk i nënshtrohej interesave të caktuara”.
Në reagim shtohet se Oda nuk i jep llogari askujt që, sipas saj, ka shndërruar “aktivizmin” në biznes dhe “pavarësinë” në instrument për përfitime financiare, por vetëm avokatëve, ligjit dhe institucioneve kompetente.
“Oda e Avokatëve e Kosovës nuk i jep llogari askujt që e ka shndërruar ‘aktivizmin’ në biznes dhe ‘pavarësinë’ në instrument për përfitime financiare. Oda u jep llogari vetëm avokatëve të Republikës së Kosovës, ligjit dhe institucioneve kompetente”.
Tutje, theksohet se transparenca e institucionit mbetet e plotë ndaj mediave profesionale, por jo ndaj atyre që sipas tyre publikojnë përmbajtje të njëanshme.
“Transparenca e Odës ka qenë dhe mbetet e plotë ndaj çdo mediumi serioz e profesional. Por nuk ekziston asnjë detyrim moral apo institucional për t’iu përgjigjur mediave apo platformave që publikojnë artikuj të sponsorizuar, të njëanshëm apo shpifës, me qëllimin e vetëm për të dëmtuar integritetin e institucionit”.
Në fund të reagimit, Oda e Avokatëve të Kosovës thekson se pavarësia e saj është e panegociueshme.
“Pavarësia e Odës së Avokatëve nuk është privilegj. Është garanci kushtetuese dhe ligjore. Ajo nuk negociohet, nuk blihet, nuk shantazhohet dhe nuk cenohet nga askush”.
“Oda do të vazhdojë të veprojë vetëm në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe interesin e avokatisë, pa u ndikuar nga zhurma, presionet apo interesat e askujt”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!