Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se formulimi i pikës për Ujmanin në marrëveshjen Kosovë-Serbi, nuk ka pësuar ndonjë ndryshim në ditën e takimit në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator.
Një gjë e tillë sipas Mustafës ka ndodhur më 3 shtator, kur edhe thotë se është njoftuar nga kryeministri për harmonizimin e formulimit.
Mustafa ka dhënë edhe detaje për komunikimin që ka pasur me kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn.
“Me z. Haradinaj kemi komunikuar me telefon dhe me mesazhe me dt 3 shtator, jemi takuar dhe kemi pirë kafe me dt 4 shtator në ora 10 paradite. E kam informuar se teksti për Ujmanin, ashtu siç më është prezantuar nga z. Hoti, flet për studim të fizibilitetit dhe marrëveshja si e tillë nuk nënshkruhet në një dokument me palën serbe, prandaj se nuk ka vend të shqetësohemi. Kemi vazhduar të komunikojmë edhe pasdite, me kohen tone lokale. Në bisedë me mua, z. Haradinaj ka shprehur kërkesën që teksti (ky që është nënshkruar e jo ndonjë tekst tjetër) të mos nënshkruhet si marrëveshje me Serbinë por vetem me SHBA-të, ose që në marrëveshje të mos përmendet Ujmani, por vetëm fizibiliteti për ujërat”, ka thënë ai, duke shtuar se është njoftuar nga kryeministri se pala amerikane nuk pajtohet me ndryshimet e marrëveshjes.
Mustafa thotë se atë ditë është informuar edhe për dorëheqjen e dy ministrave të AAK-së.
“Unë jam informuar nga z. Haradinaj më 4 shtator për dorëheqjen e dy ministrave të AAK-së, ( në ora 15:19 min) iu kam përgjigjur se z. Hoti po komunikon me ndërmjetësuesit amerikanë por se edhe unë edhe ai (Haradinaj) kemi kërkuar involvim të fuqishëm të SHBA-së, prandaj kur është fjala me këtë partner, ne mund të kërkojmë mirëkuptim por është vështirë të kundërshtojmë, sidoqoftë është mirë të ruajmë këtë partneritet mes veti dhe me SHBA-të.
Punët e qeverisë kërkojnë besim dhe bashkëpunim. I tillë është edhe dialogu. Kryeministrin dhe qeverinë e kemi zgjedhur dhe i kemi dhënë besimin si partner të koalicionit, prandaj vetëm mbi këtë bazë mund të funksionojë qeveria dhe ta bëjë punën e saj. Është e padenjë dhe e padrejtë të tentohet të krijohet opinioni se njëri partner në dialog e fali Ujmanin ndërkaq tjetri e shpëtoi”, ka shkruar kreu i LDK-së.