Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për Iljasa Fazliu, defektolog i Logopedisë, i cili po dyshohet për trajtim të pandërgjegjshëm, ndaj një fëmije, të cilin po e trajtonte në ordinancën private. Lidhur me këtë rast ka reaguar koordinatorja e projekteve te Instituti Kosovar për Logopedi, Marigona Kozmaqi.
Kozmaqi përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se kanë qenë në njohuri shumë kohë më parë se logopedi Fazliu ishte duke punuar pa licencë.
Më tutje, ajo në reagimin e saj ka shtuar se të tillë si defektologu i Logopedisë, Fazliu ka shumë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, derisa shprehet se është e lumtur që më në fund dikush ia ka zbuluar fytyrën e vërtetë.
“Tash e paskeni marrë vesh a? Këtë e kemi ditë moti, shumë moti! Po qeshtu është kur te kesh krah të fortë. Ky s’o i pari, i ke në QKUK plotë si ky”, ka shkruar ajo.
Gjatë ditës së sotme është publikuar një audio-incizim ku Iljasa Fazliu në cilësinë e logopedit dëgjohet duke e keqtrajtuar profesionalisht dhe duke abuzuar me një vajzë 3-vjeçare e cila ishte dërguar nga prindërit për tretman tek Fazliu. Ai është arrestuar nga Policia e Kosovës.