Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar pasi nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u është kërkuar të marrin masa lidhur me neglizhencën e sistemit gjyqësor në rastin e Dardan Krivaqës, të dyshuarit kryesor për vrasjen e 18-vjeçares, i cili u arrestua sot nga Policia e Kosovës.
KGjK thotë se kanë dërguar kërkesë te autoriteti kompetent për ta shqyrtuar neglizhencën eventuale lidhur me shqyrtimin e rastit ndaj Dardan Krivaqës.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), njofton opinionin publik se ka pranuar njoftimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj lidhur me rastet e A.S. dhe D.K. dhe ka mbledhur të dhëna të tjera nga Sistemi elektronik i Evidencës Penale. Pas pranimit të këtyre të dhënave, KGjK në konsultim me anëtarët e Këshillit, i ka vlerësuar dhe analizuar këto të dhëna, me ç’rast ka dërguar kërkesë tek autoriteti kompetent për të shqyrtuar neglizhencën eventuale lidhur me shqyrtimin e këtij rasti nga gjykata dhe gjyqtarët përkatës”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.
Në rast se konfirmohet se ka pasur neglizhencë, e cila i ka mundësuar Dardan Krivaqës të jetë i lirë dhe të kryejë vrasje, KGjK thotë se duhet të inicohet procedurë disiplinore. Ky organ zotohet se do t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme lidhur me këtë çështje.
“Lidhur me këtë çështje, në rast se konstatohet neglizhencë nga ana e gjykatës përkatëse, atëherë autoriteti kompetent duhet të iniciojë procedurë disiplinore. KGjK, zotohet se do t’i ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të adresuar dhe trajtuar deri në fund çështjen në fjalë dhe në rast se konstatohet se ka lëshime apo neglizhencë, atëherë do të ndërmerren masa ndaj të gjithë zyrtarëve përgjegjës sipas procedurës disiplinore përkatëse”, thuhet në njoftim.