image Reagon ETEA: Në testin e arritshmërisë kishte kopjim masiv

Arsim

Reagon ETEA: Në testin e arritshmërisë kishte kopjim masiv

news image

Organizata ETEA ka reaguar, duke thënë se ka pasur kopjim masiv në testin e arritshmërisë që u mbajt në Kosovë më 28 maj.

Në testin e arritshmërisë morën pjesë rreth 2600 nxënës të klasave të 9-ta në 156 qendra të testimit në gjithë territorin e Kosovës.

“Në komunikimet më të thjeshta të stafit të organizatës ETEA me nxënësit/et që i janë nënshtruar këtij testi, kuptohet se format e mashtrimit janë evidente dhe kopjimi në këtë test ishte në përmasa masive. Janë 2200 administrues dhe 460 komisionerë të angazhuar për mbarëvajtjen e këtij testi, të cilët, sipas deklaratës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – nuk kanë raportuar asnjë parregullsi. Por krejt tjetër çka, tregojnë fotot e bashkangjitura në këtë reagim. Për më tepër, sipas nxënësve me të cilët stafi i organizatës ETEA ka komunikuar, janë vetë administruesit/et e testit (jo të gjithë) të cilët mundësojnë kopjimin dhe i kontribuojnë kësaj ndërmarrjeje masive për mashtrim. Njëri/a nga nxënësit/et tregon se administruesi/ja ishte në dijeni për ekzistencën e grupeve online për kopjim, me ç’rast i udhëzon nxënësit/et që të mos shkruajnë në ato grupe për shkak të identifikimit potencial dhe të dalin nga grupet menjëherë pas përfundimit të testit. Kjo dëshmohet edhe me faktin se nxënësve iu është lejuar mbajtja e telefonave dhe përdorimi i tyre pasi komunikimi mes nxënësve në këto grupe vërehet së është bërë përgjatë kohës së zhvillimit të testit”, thuhet nga ETEA.

Nga ETEA thuhet se përderisa nota mesatare e nxënësve kosovarë shpesh shkon në 4.5 dhe testet nacional u japin atyre pikë të larta, testet ndërkombëtare PISA dhe TIMSS pjesën dërrmuese të tyre i nxjerrin si analfabetë funksional.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit duhet urgjentisht të iniciojë politika publike për ta minimizuar skajshmërish fenomenin e kopjimit në sistemin arsimor paraunversitar të Kosovës dhe të marrë masa rigoroze ndaj të gjithë atyre që në një a tjetër mënyrë e lejojnë apo mundësojnë kulturën mashtruese në mjediset edukativo-arsimore”, thuhet nga ETEA.

Nga ministrja e Arsimit, Arbërie Negavci, ishte thënë se sipas informatave të para që kanë testi ka shkuar mirë.

Sipas informatave të para që i kemi marrë nga Komisionet, çdo gjë ka shkuar sipas planit dinamik të punës dhe nuk është shënuar ndonjë parregullsi e cila do të ndikonte në rezultatet e testit. Analizë më e detajuar e procesit do të bëhet pas pranimit të raporteve të Drejtorive Komunale të arsimit”, ka shkruar Nagavci në Facebook pas përfundimit të testit. /Gazeta Sinjali/