image Reagon Bulliqi pasi u denoncua për sulm fizik nga një nëpunës i komunës

Kosovë

Reagon Bulliqi pasi u denoncua për sulm fizik nga një nëpunës i komunës

news image

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi i ka quajtur të pavërteta dhe shpifje pretendimet se ka sulmuar një zyrtar komunal në QKMF-në e Podujevës, transmeton Gazeta Sinjali.

Bulliqi ka thënë se atje ishte i shoqëruar edhe me zyrtarë tjerë që mund ta konfirmojnë këtë.

“Gjatë vizitës sime në QKMF, unë kam qenë i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Driton Veliu, drejtori i QKMF-së, Ymer Llugaliu dhe mjekë e infermierë të tjerë, të cilët mund ta dëshmojnë lehtë se aty nuk ka ndodhur asgjë dhe të gjitha pretendimet e këtij zyrtari janë trillime dhe inskenime të ulëta”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

Gazeta Sinjali raportoi sot se një nëpunës i Komunës së Podujevës kishte denoncuar Bulliqin për sulm fizik. Kjo u konfirmua më pas edhe nga zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 09:30 në stacionin policor në Podujevë është denoncuar një rast i sulmit fizik. Aktualisht janë duke u trajtuar pretendimet e paraqitura nga denoncuesi, dhe me qëllim të zbardhjes së plotë të  të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen veprimet policore po ndërmerren në koordinim me prokurorin e shtetit”, thuhet në përgjigjen për Gazetën Sinjali. /Gazeta Sinjali/