Kuvendi i Kosovës dje shkarkoi bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, në një proces që tani ish-anëtarët e këtij bordi po e quajnë “të paqartë, antiligjor dhe të mbingarkuar me shpifje dhe trillime”, raporton Gazeta Sinjali.
Madje, këta ish-anëtarë, të cilët u shkarkuan me vendim të veçantë njëri pas tjetrit, vlerësojnë se shkarkimi i tyre është edhe sulm ndaj vetë këtij institucioni të pavarur.
“I njëjti (vendimi) është sulm edhe ndaj vetë institucionit të pavarur të ARH-së. Vendimi i tillë, cenon pavarësinë e institucionit dhe krijon një pasiguri juridike në vazhdimin e funksionimit të ARH-së. Aq më shumë, kur tanimë kemi një vakum institucional në ketë institucion të pavarur pasi që, nga muaji gusht, ARH mbetët pa titullar dhe procedurat për zgjedhjen e titullarëve të ri, marrin kohë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.
Arsyetimi për shkarkimin e Bordit të ARH-së, nga ana e disa deputetëve të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë të Kuvendit të Kosovës, anëtarët e këtij bordi thonë se nuk ka asnjë argument faktik e as ligjor.
“Përdorimi i informatave të prezantuara nga ky komision kanë qenë të sponsorizuara nga nivelet shumë të ulëta, ku nga prezantimi i tyre është vërejtur se edhe vetë deputetet kanë rënë pre e lajthitjeve të tilla dhe si të tilla kanë dalë tërësisht tendencioze e aspak të vërteta.”
Për këtë, ata thonë se do të dëshmojnë në adresimin e tyre për organet e drejtësisë.
Ish-anëtarët e bordit të ARH-së pretendojnë se arsyeja e vetme e shkarkimit të tyre është tendencë për të instaluar ndikimin dhe kontrollin në këtë institucion në tërësi nga pushteti aktual.
Në fund, bordi i shkarkuar ka paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, për të kundërshtuar këtë vendim “arbitrar” dhe “shpifjet” të cilat vlerëson se janë prezantuar nga deputetët e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, me rekomandim të të cilit u shkarkua.
“I bëjmë thirrje gjithë mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë të cilët merren më mbikëqyrjen e sundimit të ligjit, por edhe ato që merren me punën e sektorit hekurudhor, që të reagojnë ndaj këtij vendimi arbitrar dhe jo ligjor dhe të parandalojnë degradimin e këtij institucioni, rrjedhimisht edhe gjithë sektorit”, përfundon reagimi./Gazeta Sinjali/