Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK) ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në vend lidhur me vaksinat kundër koronavirusit.
Ky asociacion vlerëson se intervistimi i gazetarëve të Insajderit me qëllim të zbulimit të burimit të tyre është shkelje flagrante e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve dhe të drejtës së lirisë së mediave.
“Prokuroria dhe policia nuk kanë të drejtë të kërkojnë zbulimin e burimeve të gazetarëve pa urdhër të gjykatës. AMPEK-u u bën thirrje organeve kompetente që urgjentisht të fillojnë procedura disiplinore kundër zyrtarëve që kanë keqpërdorur autorizimet e tyre duke shkelur në këtë mënyrë Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve”, thuhet në komunikatë.
Në reagimin e tyre thuhet se presioni ndaj mediave dhe gazetarëve dhe pengimi i ushtrimit të profesionit janë totalisht të papranueshme në demokraci.
E lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se ekzekutivi nuk ka mandat mbi Prokurorinë e Shtetit dhe se veprimet e saj janë të pavarura.
“Thirrja e ministrit Vitia dje në konferencën për media ishte që prokuroria e shtetit të mbrojë interesin publik dhe shëndetin e qytetarëve nga persona që dëmtojnë procese kaq jetike dhe delikate, duke rrjedhë çerek informacione që janë konfidenciale”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka mandat mbi Prokurorinë e Shtetit. Veprimet e Prokurorisë janë të pavarura. Këto janë pushtete të ndara. Ata që nuk e kanë të qartë këtë, ose njëmend nuk e dinë ose kanë ngecur para 14 shkurtit, kur edhe mund të ketë pasur ndërhyrje të tilla në punën e prokurorisë. Qeveria asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk tenton të pengojë punën e medias apo të lëndojë lirinë e shprehjes”, shtoi Kryeziu. /Gazeta Sinjali/