Kompania 2A Group ka reaguar me tone të forta dhe simbolike, përmes një postimi të shoqëruar me pikturën ikonike “Betimi mbi Flamur” të Kol Idromenos, duke dërguar një mesazh të qartë përballë atyre që, sipas saj, po tentojnë të blejnë simbolet dhe kujtesën kombëtare shqiptare.
Në reagimin e saj, 2A thekson se beteja që po zhvillon nuk është as për interesa ekonomike e as për emra, por për mbrojtjen e dinjitetit dhe kuptimit të fjalës “Shqipëri”.
“Nuk jam në luftë me ata që flasin me metafora, as me ata që mbulojnë mashtrimin me buzëqeshje. Lufta ime nuk ka emra, por ka kuptim. Lufta ime është me Compartment Berninën, jo si emër, por si simbol i asaj bote që kërkon të blejë flamurin tonë.”
Në tekst përmendet edhe Bart Turtelboom, që sipas 2A-s ka qenë më herët përfaqësues i palës ruse në negociatat e Paris Club, duke u cilësuar si shembull i atyre që përpiqen të zëvendësojnë identitetin dhe kujtesën përmes interesave financiare.
“Nuk është rastësi, është kujtesë. Një kujtesë se pas çdo formule financiare që duket e qetë, mund të fshihet një synim për të zhdukur rrënjët.”
Në vijim, kompania thekson se qëndrimi i saj nuk lidhet me përfitime materiale, por me parimin e ruajtjes së sovranitetit simbolik e ekonomik të vendit.
“Unë nuk jam në luftë për para, por për të mos humbur kuptimin e fjalës ‘Shqipëri’. Sepse për mua, Vlora International Airport nuk është një investim, është një pjesë e shpirtit të një kombi që ngrihet për të fluturuar mbi hijet që duan ta mbajnë poshtë.”
Ky reagim vjen në kohën kur 2A Group, një nga kompanitë më të njohura shqiptare në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës, është duke zhvilluar betejën ligjore për të vërtetuar pronësinë e saj në 49% të aksioneve të aeroportit të Vlorës, të njohur si Vlora International Airport (VIA).
Po ashtu, ky reagim publikohet në një moment kur Prokuroria e Shtetit Shqiptar ka nisur hetimet për një varg veprash penale ndaj kompanisë “Mabco Constructions SA, që është pjesë e konsorciumit të përfshirë në projektin e aeroportit të Vlorës.
Ky zhvillim shton edhe më shumë peshën e reagimit të 2A Group, i cili tejkalon dimensionin financiar dhe merr trajtën e një deklarate publike për mbrojtjen e interesit kombëtar dhe transparencës në projektet strategjike të vendit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!