image Reagojnë veteranët: Mos na përcillni sepse ne nuk fshihemi

Kosovë

Reagojnë veteranët: Mos na përcillni sepse ne nuk fshihemi

news image

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Drenas thotë se përfaqësuesit e kësaj organizate janë duke u përcjellë me veturë nga individë të panjohur.

Nga dega e OVL-UÇK, dega në Drenas kanë theksuar se tashmë dihet për luftën e pastër të UÇK-së, derisa kanë shtuar se asnjëherë nuk janë fshehur e që një gjë të tillë nuk do ta bëjnë as tash. Në reagim thuhet se të tjerë janë ata që duhet të fshihen, “sepse një ditë do t’i mallkojë historia”.

“Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dega Drenas, reagon në lidhje me përcjelljet, vëzhgimi që po iu bëhet përfaqësuesve të Organizatave të Luftës së UÇK-së, nga individ të panjohur. Për luftën e pastër që ka zhvilluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës tashmë dihet. Ne asnjëherë nuk jemi fshehur dhe as tash nuk do të fshihemi, janë të tjerë ata që duhet të fshihen sepse një ditë do t’i mallkojë historia”, thuhet në reagimin e OVL, dega në Drenas.

Mes tjerash në reagim thuhet se do të qëndrojnë të palëkundur në kauzën e tyre për të zbardhur të vërtetën për luftën e UÇK-së.

“Ne kemi dalë faqebardhë në luftë, jemi faqebardhë në paqe, e ato çfarë duhet i kemi deklaruar. Ne do të qëndrojmë të pa lëkundur në kauzën tonë për të zbardhur të vërtetën për luftën e UÇK-së”, thuhet mes tjerash në reagim.

Në fund veteranët kërkuan që mos përcjellën. “Prandaj mos na përcjellni sepse ne nuk fshihemi, nuk kemi për çfarë!”.

Ndërkohë që gjatë së martës, kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati nëpërmjet një shkrimi në profilin e tij ‘facebook’ ka bërë të ditur për përcjelljet që sipas tij po iu bëhet përfaqësuesve të kësaj organizate.

“Mos na i përcjellin makinat e me harxhu derivate kot, sepse ne nuk kemi çka fshehim dhe gjërat i themi publikisht”, ka shkruar Gucati./Gazeta Sinjali/