image Vëllai i Haki Rugovës: Me ngulm po tentohet që Hakiu dhe LDK-ja të njollosen

Kosovë

Vëllai i Haki Rugovës: Me ngulm po tentohet që Hakiu dhe LDK-ja të njollosen

news image

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova dje pasdite me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë është shoqëruar për në polici dhe kjo gjë ka bërë që vëllai i tij, Ismet Rugova, të reagojë.

Ai, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se kohët e fundit është ushtruar shumë presion ndaj familjes Rugova dhe sipas tij ky presion është bërë nga njerëz që kanë kapur institucionet e shtetit.

Ismet Rugova u shpreh i bindur në pafajësinë e vëllait duke potencuar se kryetari Rugova nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore.

Postimi i plotë:

Te nderuar/a,

Jeni të informuar se kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova (vëllai im) mbahet në arrest, kinse për keqpërdorim të detyrës zyrtare!

Në lidhje me këtë, ndihem i obliguar ndaj Juve të sqaroj disa gjëra.

Ka kohë e sidomos muajve të fundit që është duke u ushtruar një presion i vazhdueshëm, shantazh dhe sulme të egra ndaj kryetarit, kompanisë “Ma.con” dhe në përgjithesi ndaj familjes sonë. Kjo është duke u bërë në mënyrë sistematike dhe kriminale, duke përdorë insitucionet e kapura të shtetit dhe zyrtarët e korruptuar.

-Së pari dëshiroj të ju njoftoj se kryetari posedon një banese në Istog dhe truall me fshat, të trashëguara këto nga bashkësia familjare. Pra nuk është fare i pasur siç pretendohet nga dikush dhe rrjedhimisht as i korruptuar.

-Së dyti, kompania ndërtimore “Ma.con” ka të punësuar mbi 90 punëtorë dhe afaron krejtësisht me sektorin privat. Më saktë në 14 vitet e fundit kemi realizuar vetëm një tender dhe atë para 6 vitesh. Pra, nuk është e vërtetë se përfitojmë nga shteti. Të punësuarit tonë i gëzojnë të gjitha të drejtat nga Kontrata Kolektive, por edhe sigurimin privat shëndetësorë dhe jetësore falas e qe nuk kërkohet fare nga shteti.

-Se treti, në “Ma.con” jemi të punësuar 5 inxhinier nga familja jonë. Ju siguroj që edhe ne kemi mundur të punësohemi nëpër Ministri, Borde, ose poste të ndryshme shtetërore.

Ndërsa, sa i përket gurëthyeses, për të cilën akuzohet kryetari, ne jemi në posedim dhe të licencuar që nga viti 2009.
Të jeni të sigurtë se nuk është bërë as një shkelje ligjore.
Nga këto që paraqita besoj se nuk e keni të vështirë të konstatoni se ne nuk fshihemi pas favoreve, nepotizmit, apo korrupsionit.

Sa i përket Hakiut, ai ka fituar 3 herë zgjedhjet për kryetar të Istogut. Votuesit në Istog sigurisht se nuk janë budallenjë e as të çmendur që kanë vendosur kështu. Ai nuk është fare i përfshirë në kombinime, apo konjuktura të pandershme politike, por i vendosur për vlera demokratike dhe civilizuese.

Mos të harrojmë se jemi futur në vitin zgjedhore dhe me ngulm po tentohet që Hakiu dhe LDK-ja të njollosen sepse në një garë të ndershme vështirë mund të rrezohen.

Të nderuar, Ju ftoj të mos krijojmë paragjykime, por ta presim drejtësinë ( nëse ka?!) dhe kërkojmë mirëkuptim”, përfundon shkrimi i tij./ Gazeta Sinjali/