Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas mbajtjes së Forumit Ekonomik në Shkup, ka thënë sot se integrimi ekonomik ballkanik ka kuptim atëherë kur Serbia e njeh shtetin e Kosovës.
Reagimi i Abdixhikut vjen pas diskutimit për Mini-Shengenin, ku nga dje quhet ‘Open Balkan’.
Në këtë forum kanë marrë pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pjesë e këtij takimi nuk ishin Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.
Reagimi i plotë:
“Integrimi ekonomik ballkanik ka kuptim vetëm atëherë kur paraprihet nga një njohje politike – secili ndaj secilit. Serbia nuk e njeh Kosovën. Prandaj kufijtë marrin edhe më shumë kuptim. Ato bëhen vetvetiu më të fortë. Prandaj dhe si heqim dot as si ‘Mini Schengen’ e as si ‘Open Balkan’.
Njohja para bashkëpunimit pa kufij!
Ky është qëndrimi im dhe i LDK-së.
‘Open Balkan’ para se të jetë projekt ekonomik është megjithatë projekt politik. Përfitimet ekonomike, bëhen të parëndësishme përballë mohimit politik serb – dhe këtë duhet ta kuptojë secili i përfshirë, sidomos kolegët tanë në Shqipëri.
Qeveria e Kosovës duhet të flasë gjithsesi me Shqipërinë e Qeverinë shqiptare atje. Tensionimi i pakuptimtë i relacioneve tona – kryesisht për shkak të interferimeve të pamatura elektorale në këtë fillimvit nga Kryeministri ynë – ka bërë që për herë të parë në historinë 30-të e sa vjeçare, rrugët tona përballë Serbisë të jenë të ndara. Dhe kjo në vete është fatkeqësi. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një mendim e një qëndrim.
Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale. Por vetëm si palë e barabartë – shtet sovran, e njohur nga të gjithë, njohëse e të gjithëve. Deri atëherë çdo nismë tjetër është e dëmshme për interesat nacionale tona dhe të shqiptarëve në rajon”. /GazetaSinjali/