image Reagime të ashpra për propozimin e Abdixhikut për Qeveri Tranzicionale

Politikë

Reagime të ashpra për propozimin e Abdixhikut për Qeveri Tranzicionale

news image

Propozimi i Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për formimin e një “Qeverie Tranzicionale” ka ngjallur reagime të ashpra nga Lëvizja Vetëvendosje dhe individë të tjerë të politikës kosovare, shkruan Gazeta Sinjali.

I pari që ka reaguar ndaj këtij propozimi ka qenë ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili ka deklaruar se një iniciativë e tillë është e “jokushtetuese”.

Ai e ka quajtur këtë ide të dëmshme, duke theksuar se kjo lloj qeverie mund të krijohet vetëm nga një subjekt tjetër politik. “Është jokushtetuese të propozosh nga pozicioni i tretë qeveri tranzicionale! Kjo dhe format e tjera të krijimit të qeverisë i takojnë dikujt tjetër”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka komentuar mbi propozimin e Abdixhikut, duke e krahasuar atë me praktikat e Gjermanisë, ku zgjedhja e kancelarit është një proces që nuk ka përfshirë kërkesën për qeveri tranzicioni.

Murati ka theksuar se pozita e tij në lidhje me këtë çështje mbetet e qartë dhe se ky propozim nuk ka vend për diskutim. “Është për t’u marrë shembull sjellja e partive gjermane, që, megjithëse votimi për Kancelar në herën e parë dështoi të prodhonte rezultat, askush nuk e bëri temë ndërrimin e kandidatit dhe askush nuk kërkoi qeveri tranzicioni”, ka shkruar ai.

Po ashtu, deputetët Dimal Basha dhe Armend Muja kanë reaguar me kritika të forta ndaj ideve të propozuara nga Kryetari i LDK-së, duke konsideruar këtë si një lëvizje të pavend dhe të papërgjegjshme për situatën aktuale politike të Kosovës.

Ndërsa, Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se të martën Kryesia e PDK-së do të mblidhet për të shqyrtuar propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Abdixhiku, në një konferencë për media, ka sqaruar se oferta për një Qeveri Tranzicionale vjen si pasojë e krizës së thellë institucionale që po kalon vendi dhe për shkak të dështimit të partisë së parë të krijojë shumicën parlamentare.

Ai ka theksuar se kjo qeveri do të ketë një afat të caktuar dhe do të udhëhiqet nga një program shtetëror i qartë, duke përfshirë çështjet e politikës së jashtme dhe të brendshme.

“Në vend të kësaj, ai tha se LDK propozon një qeveri të tranzicionit me afat të caktuar si të domosdoshme për të dalë nga kriza dhe si një hap që sipas tij, kërkon përgjegjësi, unitet dhe vetëdije të lartë politike nga të gjitha forcat parlamentare”, ka thënë Abdixhiku.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/