Një ngjarje e rëndë tronditi Prishtinën mbrëmjen e të dieles, ku u shënua një incident i rëndë që përfundoi me fatalitet. Për motive akoma të panjohura, Gent Myftari theri për vdekje me thikë vëllain e tij, Auron Myftarin, te banesa e tyre në rrugën “Tirana”, raporton Gazeta Sinjali.
Motivet e rastit akoma nuk dihen, ndërsa Gent Myftari u arrestua nga Policia si i dyshuar për rastin, ku tashmë kanë nisur hetimet lidhur me zbardhjen e kësaj ngjarjeje tragjike.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Gent Myftarit, nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin G.M, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin G.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Ndërkaq, dje Sinjali ka raportuar se viktima dhe dorasi janë vëllezër të regjisorit të njohur kosovar, Agon Myftarit.
Genti po dyshohet se ia mori jetën vëllait të tij, Auronit – duke e therur disa herë me thikë, te kompleksi banesor ku ata jetonin.
E familja Myftari ka njoftuar se sot do t’i jepet lamtumira e fundit djalit të tyre Auronit.
“Ju njoftojmë se varrimi i Auron (Hazir) Myftarit do të bëhet më 29 tetor 2024, me namazin e drekës (ora 12:00), në varrezat e qytetit në Arbëri. Njëkohësisht, ju njoftojmë se për shkak të rrethanave, familja nuk do të hapë të pame. Pritja do të bëhet vetëm në varreza”, shkruhet në njoftim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.