Avokati Besnik Berisha, ka marrë autorizim nga familja e stomatologut, Xhavit Karaxha, për ta mbrojtur të njëjtin pas arrestimit të tij lidhur me vdekjen tragjike të gruas 35-vjeçare, që humbi jetën pasi nxori një dhëmb në ordinancën e tij private në Malishevë. Ky i fundit, sipas Berishës është i licencuar dhe nuk qëndrojnë deklaratat e as pretendimet e Prokurorisë që janë ngritur lidhur me këtë rast, raporton Gazeta Sinjali.
Berisha ka dërguar në redaksi të Sinjalit licencat e dy ordinancave, të stomatologut dhe të motrës së tij, që po hetohen lidhur me rastin.
Ambulanca e Stomatologjisë “Flori”, ku Karaxha zhvillonte veprimtarinë është e pajisur me licencë që dy vite, me validitet deri në vitin 2026. Licenca i është lëshuar stomatologut në muajin qershor të vitit 2021 nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ndërsa Ambulanca e Gjinekologjisë, “Doktorat” ku pronare është motra e tij, Hanifja është licencuar në vitin 2021 dhe është e vlefshme deri në qershor të 2026. Kjo e fundit posedon edhe certifikatën e regjistrimit të biznesit në ARBK, para dy vitesh.
Berisha këtë e ka konfirmuar, duke thënë se ka qenë e pasaktë ajo që është deklaruar se pronarja ka qenë rrobaqepëse, pasi të njëjtit kanë licencë.
Ai ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti në ordinancën stomatologjike, duke theksuar se ajo që është bërë publike është hiperbolizuar.
“Kam marrë autorizimin nga familja e stomatologut të arrestuar për vdekjen tragjike të një pacienteje në një ordinancë stomatologjike në Malishevë. Rast i rëndë, në kuptimin e humbjes së jetës, rast që ka mund të ndodhë edhe në Berlin, Prishtinë e Austri. Ka qenë fryrje, hiperbolizim dhe fatkeqësisht u trumbetu diçka pasaktë.“
Avokati po ashtu ka përmendur një fakt me rëndësi sa i përket pacientes, për të cilën thotë se ka qenë alergjike në anestezionin që i është dhënë, edhe pse kishte deklaruar se nuk ka alergji në ndonjë bar.
“Pse mund të ndodhë kudo është për shkak se pacientja, tani e ndjera, fatkeqësisht ka qenë alergjike në një anestezion lokal, me emrin lidokainë. Lidokaina kur i është dhënë para heqjes së dhëmbit ka shkaktu alergji. Doktori i licencuar, jo në një klinikë me pronare rrobaqepëse, por në një klinikë të licencuar “Flori”, me licencë të lëshuar nga Arben Vitia.
Kur është përballë me këtë reaksion, stomatologu e ka administru edhe terapinë e antishokut, që njihet në fushën e mjekësisë dhe si rezultat pacientja e ka pranu edhe orbazonin, edhe adrenalinën, edhe kalciumin dhe të gjitha këto që i sheh protokolli.
Po të jetë shoku agresiv, nuk mundesh me nxjerrë as në klinikat më të njohura të botës.
Pyetja e parë që i është nënshtru pacientes është a është alergjike në bar. Përgjigja ka qenë jo dhe për më tepër pacientja e ka konfirmu se edhe më herët ka pasur rregullim të dhëmbëve. Pra, pacientja nuk e ka pasë kontaktin e parë me lidokainën atë ditë, ka qenë e paimagjinueshme për stomatologun.
Autopsia nuk flet për shkaktarët të shokut anafilaktik, duhet institute pak më të specializuara.”, ka thënë Berisha.