Një ngjarje tragjike ka ndodhur të enjten në një familje në Shtërpcë, ku një grua u gjet e vdekur dhe dyshohet se i dha fund jetës me armë zjarri. Kjo ngjarje e dhimbshme ka tronditur familjen, teksa u zbulua se viktima ishte edhe shtatzënë, në muajin e katërt të shtatzënisë.
Sinjali raportoi se e ndjera është një 34-vjeçarja, Dragana Stankoviq, e cila për motive akoma të panjohura, qëlloi veten me armë brenda shtëpisë, pas mesnatës, duke lënë pas vetes një fëmijë.
Bazuar në informacionet e para që ka Sinjali, pas ekzaminimeve nga ana e mjekëve janë vërejtur hematome në trupin e të ndjerës.
Bashkëshorti i saj e ka njoftuar Policinë dhe ekipin mjekësor se bashkëshortja e tij ishte në pritje të ëmbël, në muajin e katërt të shtatzënisë.
Lajmi tashmë është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se pranë trupit të viktimës është gjetur një revole.
“Është raportuar se viktima femër kosovare, dyshohet se ka bërë vetëvrasje. Afër trupit të viktimës është gjetur një revole. Lidhur me rastin janë intervistuar bashkëshorti dhe vjehrri i viktimës”, ka thënë për Sinjalin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Njësitë policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, ku edhe është sekuestruar arma që dyshohet se u përdor nga viktima.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetimi për zbardhjen e këtij rasti mjaft të rëndë, ndërsa trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion.