image Rasti "Stenta 2"/ KEDS: Rryma në Pallatin e Drejtësisë nuk është ndërprerë nga ne

Drejtësi

Rasti “Stenta 2″/ KEDS: Rryma në Pallatin e Drejtësisë nuk është ndërprerë nga ne

news image

Seanca gjyqësore në rastin “Stenta 2” është ndërprerë në gjysmë sot. Disa media raportuan se kjo seancë nuk vazhdoi për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në Pallatin e Drejtësisë, në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Lidhur me këtë rast ka reaguar Kompania e distribuimit të energjisë elektrike në Kosovë (KEDS), duke sqaruar se kjo ndërprerje nuk është bërë nga kjo kompani.

“KEDS bën me dije që nuk e ka ndalë energjinë elektrike dhe nuk ka pasë asnjë prishje apo ndonjë interferim deri tek asetet e brendshme të Pallatit të Drejtësisë. Pra, sa i përket anës tonë gjithçka ka qenë në rregull dhe në bazë të normave të parapara”, thuhet në sqarimin e KEDS-it.

KEDS ka kërkuar nga mediat të cilat e kanë publikuar lajmin që të hulumtojnë shkaktarin e vërtetë të problemit, në mënyrë që të del e vërteta në pah.

“Të njëjtën kohë, kërkojmë nga mediat që në këto raste të marrin të gjitha palët e involvuara, duke iu përmbajtur parimeve të gazetarisë. Kjo, pasi është e vetmja mënyrë që të del në pah e vërteta e plotë, duke hequr çdo aludim të pasaktë”, thuhet tutje në reagim.

Me akuzat e prokurorisë në rastin “Stenta 2”, janë duke u përballur 40 të akuzuar, përkatësisht: Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti,  Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti./Gazeta Sinjali/