image Rasti Pantiq: KGJK-ja akuzon Kurtin se po tenton të ndërhyjë në drejtësi

Drejtësi

Rasti Pantiq: KGJK-ja akuzon Kurtin se po tenton të ndërhyjë në drejtësi

news image

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shprehur shqetësim pas fjalëve të kryeministrit Albin Kurti i cili ka thënë se është kureshtar të dijë emrin e gjyqtarit dhe emrin e prokurorit që morën vendim për ish-policin Dejan Pantiq të mërkurën.

Pantiqit, që dyshohet për sulm ndaj Policisë së Kosovës dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri, i është ndryshuar masa nga paraburgimi në arrest shtëpiak të mërkurën nga një vendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë me propozim të Prokurorisë Speciale.

KGJK-ja ka thënë se gjyqtarët duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa “tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe si të tillë i dënojmë fuqishëm”:

“Sa i përket pyetjes së kryeministrit Kurti për emrin e gjyqtarit që ka vendosur në lidhje me këtë rast, Këshilli Gjyqësor publikisht e informon lryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë”, thuhet në reagimin e KGJK-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i habitur me vendimin për ndryshimin e masës së paraburgimit ndaj Pantiq.

Ai ka thënë se është shumë kureshtar të marrë vesh se si është marrë vendimi që ish-policit Dejan Pantiq t’i ndryshohet masa nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

“Nuk e di çështjen gjyqësore të atij që është i pandehur, për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar. Ai e ka statusin e paraburgosurit, por është i pandehur për terrorizëm. Meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme në zemër, mund të dërgohej në spital, që është e kuptueshme. Por a është e arsyeshme? E vendos gjyqësori. Kur ke një akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak… jam kureshtar ta marrë vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe ai gjykatës paraprak që e kanë marrë këtë vendim”, ka thënë Kurti gjatë një konference për media.

Ndryshe, që nga 10 dhjetori grupe të ndryshme të qytetarëve serbë kanë ngritur barrikada në disa pika në pjesën veriore të Kosovës, për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.

Ai u arrestua nën dyshimin për sulm kundër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Barrikadat në veri po vëzhgohen nga Policisa e Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it. 

/GazetaSinjali/