image Rasti i vdekjes së Agon Musliut, javën e ardhshme intervistohet ish-ministri Vitia

Kosovë

Rasti i vdekjes së Agon Musliut, javën e ardhshme intervistohet ish-ministri Vitia

news image

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin kundër COVID-19 nga Qeveria e Kosovës, ka pranuar materialet nga Policia kufitare dhe Ministria e Shëndetësisë që kanë të bëjnë me “Qendrën Karantinë” dhe rastin e të ndjerit Agon Musliu.

Komisioni i udhëhequr nga kryetarja e këtij Komisioni, Mimoza Kusari-Lila, vendosi që për mbledhjen e radhës më 22 shtator të këtij muaj të nisin intervistimet me prindin e të ndjerit Agon Musliut si dhe me dëshmitarin tjetër, Valdet Hashani, ndërsa më datën 23 është paraparë të intervistohen ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Qendrës Karantinë, Izet Sadiku.

Komisioni po ashtu ka kërkuar nga Ministria e Brendshme që të sjellë materiale të klasifikuara për hyrjet e qytetarëve në Kosovë në bazë të pikave kufitare tokësore dhe ajrore, gjatë kohës kur ishin në fuqi masat për karantinim.

Në bazë të raportit të policisë kufitare në periudhën 18 mars-1 qershor gjatë kohës së izolimit të qytetarëve me masa qeveritare, në Kosovë kanë hyrë 60 mijë persona, ndërsa në karantinë kanë hyrë vetëm 1 mijë e 600 persona. /Gazeta Sinjali/