Policia e Kosovës e ka konfirmuar raportimin e Sinjalit për vrasjen e rëndë që ka ndodhur sonte në Prishtinë, ku si pasojë e të shtënave me armë ka humbur jetën një grua, Siç merr vesh Gazeta Sinjali, viktimë është gruaja e Naim Murselit, ish këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit.
Sinjali ka mësuar disa detaje nga rrëfimi i Naim Murselit, para zyrtarëve policorë për incidentin tragjik që iu ndodhi.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur gjatë kohës kur Murseli bashkë me gruan e fëmijët ndodheshin në veturë, kur papritmas ua kanë zënë pritën disa grabitës, të cilët i plaçkitën.
Bazuar në deklaratën e Murselit që e ka dhënë para hetuesve policorë, i njëjti ka deklaruar se hajnat fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat.
Kjo situatë e tmerrshme dyshohet se e detyroi Murselin që t’i largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri.
Këto janë vetëm disa nga detajet që Murseli i ka rrëfyer para Policisë dhe sipas informacioneve që janë mbledhur deri më tani pistat pritet të zgjerohen dhe nuk do të hetohet vetëm versioni i Murselit.
Lajmin e ka konfirmuar Policia dhe ka njoftuar se trupi i pajetë u gjet brenda veturës.
“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri.
Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit” – njoftoi Policia.