image Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit, çka thuhet saktësisht në raportin e DASH-it?

Drejtësi

Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit, çka thuhet saktësisht në raportin e DASH-it?

news image

Raporti i DASH-it (Departamenti Amerikan i Shtetit), ka prezantuar disa gjetje që përfshijnë zhvillimet politike, korrupsionin, drejtësinë, krimet e luftës dhe detaje të tjera.

Në këtë raport është përmendur edhe një nga zhvillimet diskutuara në fundin e vitit të kaluar, zhdukja e mostrave të aktivistit të VV-së, Astrit Dehari nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Megjithatë, në fillim tregohet pse ishte arrestuar Dehari.

“Hetimi për vdekjen e aktivistit të Partisë Vetëvendosje në vitin 2016, Astrit Dehari, ka mbetur në vazhdim. Dehari është arrestuar me dyshimin për përfshirje në një sulm në parlament. Autoritetet hetuan nëse Dehari kreu vetëvrasje, ndërsa anëtarët e familjes së tij dhe përfaqësuesit e Partisë Vetëvendosje pretenduan se ai ishte vrarë për shkak të aktivizmit të tij politik”, thuhet në raport.

Më pas flitet për procesin ndaj tij që nuk është zbardhur asnjëherë, dhe për zhdukjen e mostrave nga IML-ja.

“Në gusht, familja e Deharit pohoi se kishte prova se Dehari ishte sulmuar para vdekjes së tij dhe kërkuan zëvendësimin e prokurorit kryesor. Në shtator, një raport i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë zbuloi se zyrtarët kishin qasje të pahijshme dhe kishin ndarë regjistrimet e kamerave nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, duke shkelur kërkesat për mbrojtjen e të dhënave. Si kundërpërgjigje, në shtator qeveria suspendoi ish-drejtorin e Departamentit për Operacione, Siguri dhe Transport të të Paraburgosurve, ish-drejtorin e Qendrës së Paraburgimit në Prizren dhe kryeinspektorin e Inspektoratit të Drejtësisë. Në dhjetor, ministri i drejtësisë njoftoi se mostrat e gjakut dhe urinës së Deharit ishin zhdukur nga Laboratori i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Më pas, Ministria e Drejtësisë pezulloi katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, përfshirë zëvendësdrejtorin”, përfundon pjesa për rastin Dehari në raportin e DASh.

Departamenti i Shtetit thotë se çështjet më të rëndësishme të të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë vitit të kaluar ishin korrupsioni serioz i qeverisjes dhe mosndëshkimi i tij; mungesa e hetimit dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje ose nga partnerët, dhunën seksuale dhe forma të tjera të kësaj dhune; dhe krime që përfshijnë dhunë ose kërcënime për dhunë ndaj pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara.

Sipas raportit të përvitshëm të DASH-it, qeveria ndërmori hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut, por këto masa herë pas here nuk ishin të qendrueshme.

/GazetaSinjali/