Komisioni Evropian ka kërkuar respektimin e parimeve të lojës së ndershme dhe transparencës, pas vendimit kontrovers të FIFA-s për të pezulluar dënimin me karton të kuq ndaj sulmuesit të Shteteve të Bashkuara, Folarin Balogun.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka telefonuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke i kërkuar që të anulonte pezullimin e Balogun.
Më vonë, Trump e falënderoi publikisht Infantinon për, siç u shpreh ai, “korrigjimin e një padrejtësie të madhe”.
Si rezultat, Balogun është lejuar të luajë në ndeshjen e ardhshme të fazës me eliminim direkt kundër Belgjikës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të mediave, një zëdhënës i Komisionit Evropian deklaroi se institucionet evropiane respektojnë autonominë e sportit dhe të drejtën e federatave për të marrë vendime, por theksoi se ato duhet të bazohen në kritere objektive dhe transparente.
“Ne mbështesim parimin e lojës së ndershme dhe konkurrencës transparente”, tha zëdhënësi, raporton Euronews, transmeton Sinjali.
Megjithëse Komisioni nuk komentoi drejtpërdrejt rastin e Balogun, deklarata u interpretua si një kritikë e tërthortë ndaj vendimit të FIFA-s.
Balogun ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt në ndeshjen e fituar 2-0 ndaj Bosnjë e Hercegovinës, pasi, pas rishikimit me VAR, u konstatua se kishte shkelur këmbën e një mbrojtësi boshnjak. Sipas rregullave të FIFA-s, një karton i kuq i drejtpërdrejtë sjell automatikisht një ndeshje pezullim dhe ky vendim nuk mund të apelohet nga ekipi i lojtarit.
Megjithatë, FIFA habiti opinionin sportiv kur njoftoi se pezullimi i Balogun do të pezullohej për një vit, duke i hapur rrugën pjesëmarrjes së tij ndaj Belgjikës.
Komisioneri evropian për Sportin, Glenn Micallef, reagoi edhe më ashpër, duke e cilësuar vendimin si “të gabuar”.
“Vendimet për rregullat sportive dhe çështjet sportive u takojnë organeve sportive, jo politikanëve. Ndikimi në vendimet sportive minon autonominë e sportit”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Ndërkohë, reagimet kundër FIFA-s po shtohen. UEFA e ka quajtur vendimin “të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”, ndërsa Federata Belge e Futbollit ka paraqitur një ankesë zyrtare kundër të drejtës së Balogun për të luajtur.
Federata belge akuzon FIFA-n se ka refuzuar t’u përgjigjet kërkesave të saj legjitime dhe se ka shpallur të papranueshëm procesin e apelimit menjëherë pas paraqitjes së tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!