Vetëvrasja është fenomen shqetësues në rritje në shoqërinë kosovare. Ky realitet ngritet si sfidë për të gjitha hallkat e shoqërisë, duke kërkuar ndërgjegjësim dhe përkushtim të përbashkët. Faktorë rreziku që shtyjnë drejt këtij veprimi shpeshherë mund të jenë gjendja e rënduar psikologjike dhe emocionale, depresioni, ankthi, bipolarizmi, abuzimi me alkool dhe substanca narkotike e gjendja e vështirë ekonomike. Sipas profesionistëve të shëndetit mendor, për të nisur një rrugë drejt parandalimit të vetëvrasjeve, është e domosdoshme që kjo çështje të shqyrtohet me një sy kujdesi dhe përgjegjësie kolektive, raporton Gazeta Sinjali.
Gjatë vitit që po lëmë pas, ka pasur një numër relativisht të lartë të rasteve kur persona të ndryshëm kanë vendosur që t’i japin fund jetës së tyre.
Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur për Gazetën Sinjali se në periudhën janar – gusht 2023, 29 persona kanë kryer vetëvrasje.
Ndonëse nuk ka raport për deri në fund të vitit, Gazeta Sinjali posedon informacione që ky numër është goxha më i lartë se kaq, pasi në periudhën gusht – nëntor, redaksia ka raportuar edhe për dhjetëra raste tjera të personave që kanë kryer vetëvrasje.
Sinjali ka siguruar statistikat për rastet e tilla që nga viti 2008 deri në vitin 2022, ku numri më i lartë i vetëvrasjeve të raportuara është shënuar në vitin 2014, gjithsej 80 të vetëvrarë.
Krahasuar me vitin 2022, janë regjistruar gjithsej 42 vetëvrasje, ndërsa në vitin paraprak ky numër ishte edhe më i lartë, 51.
Shifra më e ulët që është regjistruar në 15 vitet e fundit, është në vitin 2019, ku sipas të dhënave që posedon Sinjali, 31 persona i kanë dhënë fund jetës së tyre.
Këshilla dhe strategji për të trajtuar këtë çështje të ndjeshme, kanë dhënë për Gazetën Sinjali psikologu, Vigan Behluli dhe sociologia, Erisë Hajrizi.
Cilët mund të jenë faktorët që mund të dërgojnë një person drejt vetëvrasjes?
Specialisti i licensuar i Psikologjisë Klinike, Vigan Behluli, deklaroi për Gazetën Sinjali se ka faktorë gjenetikë/biologjikë dhe faktorë tjerë, të ambientit.
Sipas Behlulit, zakonisht këto janë rrethana qoftë stresuese ose eksperienca traumatike që mund të ndikojnë që një person të pësojë dëmtim apo dhimbje emocionale që më pas e rëndon mirëqenien e tij.
“Edhe përgjatë kohës zhvillohet deri në një masë që e cenon vetëbesimin, vetëvlerësimin, ndikon në përhapjen e mendimeve negative dhe si pasojë e gjithë këtyre proceseve zhvillohen edhe idetë të errëta, ide negative, të cilat mund me pasë edhe elemente të vetëlëndimit dhe vetëvrasjes”, tha ai.
Psikologu Behluli pohon se në aspektin gjenetik zakonisht janë prapë këta faktorët që ndërveprojnë me faktorët e ambientit dhe që mund ta shpërfaqin ndonjë çrregullim.
“Këto çrregullimet e humorit që afektojnë aspektin e funksionimit emocional dhe të cilat zakonisht janë në nivel të diagnozës si tip të depresionit madhor, crregullimit bipolar e kështu me radhë dhe të cilat si çrregullim pastaj e krijojnë njëfarë vështirësie apo një ulje të kualitetit të jetesës dhe të funksionimit dhe si pasojë sërish idetë e vetëvrasjes mund të vizitojnë më shpesh individin e ndonjëherë që të rezultojnë edhe në tentativë apo edhe në vetëvrasje”, shtoi më tej ai.
Ndërsa sa i përket faktorëve sociologjikë në rritjen e rasteve të vetëvrasjes në Kosovë, sociologia Erisë Hajrazi, thotë se mund të përfshijnë presionin shoqëror, distancimin social, depresionin, ndryshimet shoqërore dhe stigmatizimin e sëmundjeve mentale.
Por sipas saj, ekziston një lidhje edhe midis zhvillimit ekonomik të një vendi dhe nivelit të vetëvrasjeve.
“Ekziston një lidhje midis zhvillimit ekonomik të një vendi dhe nivelit të vetëvrasjeve. Problemat financiare shpesh janë një motiv i fuqishëm për vetëvrasje. Përmirësimi i kushteve ekonomike dhe aksesit të barabartë në shëndetësi mund të kontribuojë në zvogëlimin e rrezikut”, tha Hajrizi.
Shenjat paralajmëruese nga një person me mendime vetëvrasëse
Psikologu Behluli në një prononcim për Sinjalin tha se një prej indikatorëve kyç se një person mund të ketë mendime për vetëvrasjen, është tentativa paraprake.
Pos kësaj, këtu bëjnë pjesë edhe emocionet negative, mendimet pesimiste dhe narracioni negativ.
“Kjo është një ‘red flag’, i cili me automatizëm e vendos personin në kategorinë e personave me cenueshmëri të lartë, se veprimet vetëvrasese dhe vetëlënduese mund të jenë alarmante. Në aspektin e përgjithshëm, goxha janë të ndikuara edhe me vetë funksionimin emocional, ku dominojnë emocionet negative, ku dominon narracioni negativ, mendimet të cilat munden me qenë shumë pesimiste, shpërfaqja e atyre mendimeve, ekzistimi i njëfarë pesimizmi, i cili shkon ndoshta në njëfarë mase të shtuar dhe humbja e kuptimit ndoshta edhe të jetës. Në anën tjetër edhe prezenca e emocioneve intensive emocionale negative, dmth është njëfarë shenje paralajmëruese, respektivisht mund të rezultojë që personi si mënyrë për ndalimin e përjetimit të gjendjeve të rrethanave të tilla të vështira emocionale, dmth ta konsiderojë edhe vetëvrasjen si njëfarë rrugëdalje nga ajo dhimbje”, tha Behluli.
Roli i shoqërisë dhe hapat që mund të ndiqen për ndihmë ndaj personave me ‘cenueshmëri të lartë’
Behluli dhe Hajrizi pohuan për Sinjalin se personat me mendime për vetëvrasjen, e kanë të domosdoshme mbështetjen e shoqërisë.
Sipas psikologut, përkrahja emocionale dhe kujdesi i shtuar ndaj dikujt që ka mendime për vetëvrasjen, janë ndër hapat që mund të ndiqen për ofrimin e ndihmës.
Por, në rast se këto rrethana vazhdojnë për një kohë më të gjatë, Behluli thotë se atëherë kërkohet domosdoshmërisht ndihma e profesionistëve të shëndetit mendor.
“Përkrahja emocionale, kujdesi i shtuar, respektimi i kufijve dhe asaj hapësirës personale, dmth që të mos të alarmohet dhe mos ta krijojë si një gjendje të panikut kushdo që mund të flet apo mund të ekspozojë ndonjë qoftë shenjë apo diskurs narracion mbi vetëvrasjen dhe trajtimi i butë dhe përkrahja që dmth janë rrethanat që mund të jenë të atypëratyshme, dmth produkt i ndonjë acarimi të momentit, por gjithashtu edhe mjaftueshëm kujdes që nëse këto rrethana mund të vazhdojnë për një kohë më të gjatë, atëherë medoemos duhet të kërkohet edhe ndihma e profesionistëve të shëndetit mendor”, tha ai.
E, sipas sociologes Hajrizi, perceptimi i vetëvrasjes është ndryshuar në komunitet me kalimin e viteve dhe tashmë ka një qasje më të hapur e diskutime më të thella për shëndetin mendor.
Ajo thotë se përmirësimi i ndërgjegjësimit shoqëror lidhur me këto çështje, mund të ndihmojë në parandalimin e vetëvrasjeve.
“Shoqëria ka rolet dhe përgjegjësitë e saj në përballjen me çështjet e shëndetit mendor dhe vetëvrasjet. Përmirësimi i ndërgjegjësimit shoqëror lidhur me këto çështje mund të ndihmojë në parandalimin e vetëvrasjeve duke rritur kuptimin dhe mbështetjen për individët me probleme shëndetësore mendor”, tha ajo për Sinjalin.
Ajo rekomandon që shoqëria duhet të fokusohet në edukim dhe kampanja informuese që synojnë reduktimin e stigmës dhe inkurajimin e ndihmës ndaj personave me probleme të shëndetit mendor.
“Për të përmirësuar ndërgjegjësimin shoqëror, duhet te fokusohemi në edukim dhe kampanja informuese që synojnë reduktimin e stigmës dhe inkurajimin e ndihmës ndaj individëve me probleme shëndetësore mendor. Edukimi në shkolla dhe trajnime për profesionistët e shëndetit mund të jenë hapa kyç për krijuar një mjedis më mbështetës”, tha Hajrizi.
Raportimet për rastet e vetëvrasjeve
Psikologu, Vigan Behluli, tha se ka studime të cilat tregojnë që raportimet e vetëvrasjes e kanë një dozë të ndikimit te personat të cilët mund të kenë mendime për vetëvrasje.
Sipas tij, kjo është një temë që nuk duhet të stigmatizohet, por thekson që trajtimi duhet të bëhet me ndjeshmëri dhe në mënyrë të kujdesshme.
“Më shumë mendoj që tema e vetëvrasjes të mos stigmatizohet, por të trajtohet në mënyrë të ndjeshme, në mënyrë të kujdesshme, të trajtohet si një aspekt i cili mund ta vizitojë një person ndonjë pikë të jetesës, por vetëvetiu vizita e një ideje të tillë dhe një tendence të tillë, dmth nuk është rrethanë e mjaftueshme, apo rrethanë e cila detyrimisht asociohet me vetë personin në fjalë. Vetë ideja e vetëvrasjes, të mos krijohet ‘gogoli’ prej vetë idesë, por me njëfarë ndjeshmërie dhe kujdesit të shtuar, të trajtohet dhe të trajtohet në mënyrë adekuate që dmth të mos përhapet apo mos të shpeshtohet prezenca e ideve të tilla”, tha Behluli.
Në rast të mostrajtimit adekuat të kësaj teme, Behluli thotë se ka studime që tregojnë se kjo mund të jetë një nxitës për personat që janë të cenueshëm.
“Ka studime ekologjike të cilat e tregojnë që trajtimi i vetëvrasjes në mënyrë jo adekuate përmes mediave apo diskursit të përgjithshëm shoqëror, jep një shtytje, është njëra prej nxitësve, është njëra prej shtytësve që personat tjerë që mund të jenë vulnerabël, të cenueshëm, në raport me vetë aktin e vetëvrasjes, ta marrin si një nxitje apo shtytje drejt një veprimi të këtillë”.
Por ai pohon se studimet ekologjike, nuk janë konkluzive dhe jo detyrimisht diskutimet për vetëvrasjet mund të nxitin personat e tjerë për një veprim të tillë.
“Nuk janë që japin detyrimisht që diskutimet për vetëvrasje është diçka që i nxit popullatën në një veprim të tillë, por ka studime të cilat e konfirmojnë këtë. E kjo gjithashtu është si evidente nëse trajtimi i vetëvrasjes bëhet në një mënyrë shumë jo adekuate, jo të ndjeshme apo jo në mënyrë mjaftueshëm të kujdesshme edhe si tip i lajmit bombastik apo elementeve të cilat mund të kenë, apo të nxisin interesim nga popullata e gjerë, por derisa te ndonjë grup i veçantë social, ata të cilët mund të kenë një ide, një tendencë të vetëvrasjes, dmth trajtimi i lajmeve lidhur me vetëvrasjen, mund eventualisht mund t’i japin një konotacion negativ e ndoshta edhe te ndonjë person edhe të jetë si një shkas që veprimi i vetëvrasjes të jetë present”, tha psikologu Behluli për Sinjalin.
Rastet e vetëvrasjeve në botë
Sipas statistikave të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, më shumë se 700 mijë njerëz vdesin çdo vit për shkak të vetëvrasjeve.
Po ashtu, thuhet se përpos vetëvrasjeve, ka shumë më tepër njerëz që tentojnë t’i japin fund jetës.
Ky është shkaku i katërt kryesor i vdekjes nëpër botë te grupmoshat prej 15 deri në 29-vjeç.
Sipas OBSH-së, 77 për qind e vetëvrasjeve globale ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ndërsa metodat më të zakonshme të vetëvrasjes në mbarë botën janë gëlltitja e pesticideve, varja dhe armët e zjarrit.
*Inkurajojmë këdo që ndodhet në periudha të vështira emocionale apo ka mendime për vetëvrasje, të drejtohet tek institucionet e specializuara për ndihmë dhe këshillim.