image Rastet e obezitetit po rriten më shpejt tek të rinjtë

Shëndeti

Rastet e obezitetit po rriten më shpejt tek të rinjtë

news image

Rastet e reja të obezitetit po rriten më shpejt te të rriturit e rinj në Angli, sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore The Lancet, ka shkruar BBC.

Sipas hulumtimit, gjatë viteve 2024-2025, diagnozat e reja të obezitetit te personat 30 deri në 39 vjeç janë rritur me gati 20 për qind krahasuar me periudhën 2019-2020. Ndërsa te grupmosha 20 deri në 29 vjeç, rastet janë rritur me 16 për qind.

Megjithëse obeziteti diagnostikohet më shpesh te personat në të 40-at dhe 50-at, ekspertët thonë se rritja e rasteve te të rinjtë është shqetësuese, pasi obeziteti rrit rrezikun për diabet, sëmundje të zemrës dhe disa lloje të kancerit.

Studimi zbuloi gjithashtu se obeziteti shfaqet më herët te personat që nuk janë të bardhë dhe në zonat me nivel më të lartë varfërie, ku rastet janë shtuar më shpejt.

Robert Fletcher, drejtues i studimit, ka thënë se hulumtimi nuk analizoi shkaqet, por beson se ndikojnë disa faktorë.

“Këto grupmosha janë rritur në një periudhë kur tregu i ushqimeve të pashëndetshme është zgjeruar ndjeshëm. Ata kanë qenë të rrethuar nga ushqime të pashëndetshme gjatë viteve të formimit të tyre. Restorantet e ushqimit të shpejtë janë shtuar dhe reklamat për këto produkte kanë qenë të vazhdueshme”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe pandemia dhe kriza e kostos së jetesës kanë ndikuar më shumë te të rinjtë.

“Stresi i kujdesit për fëmijët, puna nga shtëpia dhe vështirësitë për të përballuar ushqime të shëndetshme për shkak të rritjes së çmimeve e kanë bërë më të vështirë një stil të shëndetshëm jetese”, ka shtuar Fletcher.

Sarah Perman, nga Shoqata e Drejtorëve të Shëndetit Publik, ka thënë se ushqimet e pashëndetshme dominojnë supermarketet, dyqanet dhe lokalet e ushqimit të shpejtë.

“Që nga fëmijëria, fëmijët dhe të rinjtë bombardohen me reklama që nxisin një dietë të pashëndetshme. Gjithashtu, ushqimet dhe pijet me shumë yndyrë, sheqer dhe kripë janë më të lira dhe më të lehta për t’u gjetur sesa alternativat e shëndetshme”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, Katharine Jenner, nga Obesity Health Alliance, ka thënë se edhe rrjetet sociale dhe aplikacionet për porositjen e ushqimit mund të kenë ndikuar në krijimin e zakoneve të pashëndetshme te të rinjtë.

Studiuesit analizuan të dhënat e 55 milionë pacientëve të rritur në sistemin shëndetësor britanik. Ata zbuluan se përqindja e personave të regjistruar me obezitet u rrit nga 26.2 për qind në 30.3 për qind gjatë periudhës së studimit.

Profesori Sir Michael Marmot e ka cilësuar situatën shqetësuese.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë në Britani kanë deklaruar se po ndërmarrin masa për të luftuar obezitetin, përfshirë kufizimin e reklamave të ushqimeve të pashëndetshme dhe vendosjen e objektivave për rritjen e shitjes së ushqimeve të shëndetshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/