image I shpëtohet jeta lehonës me çarje aorte

Shëndetësi

QKUK/ I shpëtohet jeta lehonës me çarje aorte

news image

Pacientes me iniciale H.B., 39 vjeçare, i është shpëtuar jeta nga kardiokirurgët e QKUK-së, e cila pas lindjes kishte pësuar çarje të artierës kryesore të zemrës.

Pacientja ishte transferuar nga emergjenca e Ferizajt në QKUK, me dhimbje të forta në gjoks dhe me shenja në EKG të infarktit akut, të murit të poshtëm të zemrës dhe me nivel të lartë të troponinës.

39 vjeçarja ka deklaruar se ka pasur lindje normale katër ditë më parë, (kjo ishte lindja e saj e tretë me radhë).  

Gjatë këtij intervenimi kirurgjik është bërë Bentall procedurë (ndërrim i valvulës aortale, rrënjës së aortës dhe zëvendësim të aortës ascendente me graft) dhe bypass-urëzim i arteries së djathtë të zemrës, përmes venës në graftin aortal.

“Operacioni ka kaluar pa komplikime dhe me menaxhimin e duhur të stafit në mjekimin intensiv kardio-kirurgjik, në repartin e kardiokirurgjisë”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Pacientja është liruar për në shtëpi në gjendje të mirë të përgjithshme dhe lokale, në ndjekjen e këshillave të udhëzuara nga klinika për përdorim të terapisë së rregullt.

“Disekacioni i aortës haset në 3  raste, në 100 mijë banorë. Është më i shpeshtë tek meshkujt se sa te femrat. Faktorë të rrezikimit nga disekacioni janë hipertensioni, duhanpirja, displipidemit dhe sëmundjet e lindura të indit lidhor.

Zakonisht, në shumicën e rasteve disekacioni i aort paraqitet pas moshës 60 vjeçare, ndërsa në 10% të rasteve para moshës 40 vjeçare. Tek femrat e moshës nën 40 vjeçare disekacioni akut i aortës haset në 50% të rasteve gjatë shtatzënisë apo pas lindjes”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre.

Stafi i Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive aplon te të gjithë qytetareve të Republikës së Kosovës, që për çdo nevojë sa i përket sëmundjeve të zemrës të drejtohen në QKUK, pa pasur nevojë të kërkojnë ndihmë në qendrat tjera./Gazeta Sinjali/