Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ëshë deklaruar rreth një gjetje të Auditorit të periudhës 2017-2022, ku thotë se ministria ka ndërtuar gati 200 shtëpi me çmime të larta dhe joreale dhe ku përmendet se janë paguar më shumë se 800 mijë euro për materialet e ndërtimit në krahasim me çmimet reale të tregut.
Rashiq tha se me rastin po merren organet kompetente, teksa shton se në gjashtë muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të UNHCR-së, për t’u kthyer në Kosovë kanë aplikuar 145 aplikantë, kërkesat e të cilëve janë miratuar nga komisionet komunale.
“Ajo që konstatoi auditori është e tmerrshme, sepse është një metodologji e keqe që aplikohet me vite në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim”, tha ai, në emisionin “Slobodno Srpski”.
Ai tha se Ministria për Komunitete dhe Kthim nuk ka informacion për numrin e serbëve të cilët janë larguar nga Kosova në të njëjtën periudhë apo vite më parë.