Nenad Rashiq, kryetari i Progresivna Demokratska Stranka (PDS), nuk ka marrë ende informata se Gjykata Supreme i ka refuzuar ankesën e tij për votat e ardhura nga Serbia.
Në një bisedë të shkurt për Gazetën Sinjali, Rashiq ka thënë se nuk ka marrë ende një konfirmim se ankesa e tij është refuzuar.
“Nuk kam informatë, ndoshta ju keni informacion të gabuar”, ka thënë Rashiq në bisedën telefonike.
Por pak minuta më parë Gjykata Supreme ka konfirmuar se ka refuzuar të gjitha ankesat e marrë, duke përfshirë këtu edhe atë të PDS-së.
“Gjykata Supreme brenda afatit ligjor ka shqyrtuar dhe vendosur në lidhje me gjitha ankesat e pranuara nga deputet të subjekteve politike. Gjykata Supreme ka pranuar 7 ankesa të deputetëve nga subjekte të ndryshme politike. Pas shqyrtimit nga ana e Kolegjit ankesa nga deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është refuzuar, ankesa nga deputetë të Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP) është refuzuar, ankesa nga deputetë të Partisë Liberale Egjiptiane (PLE) është refuzuar, dy ankesa nga deputetë të Lëvizja Vetëvendosje-së (LVV) janë refuzuar, ankesa nga deputetë të Partisë Demokratike të Ashkalinjëve (PDA) është refuzuar dhe Ankesa nga deputetë të Progresivna Demokratska Stranka (PDS) është hedhur poshtë si e pa-lejuar”, thuhet në përgjigjen për media.
I pyetur se përse Rashiq kishte bërë një ankesë që votat nga Serbia të numërohen, kur ai vet i kishte quajtur të manipuluara, ai ka thënë se të mos bëhet praktikë që votat nga Serbia në refuzohen.
“Unë kam bë ankesë për votat e ardhura nga Serbia, për shkak se një mënyrë afatgjate mund të minimizohen ose më mirë të them mund të bëhet një deminim i gabuar për refuzimin e votave nga Serbia. Pse po them kështu sepse juritë kishin thënë që nëse bëhet precedentë, atëherë herën e dytë nuk bëhet precedentë. Që do të thotë se nëse një herë refuzohen votat prej Serbisë, kjo më shumë mund të bëhet një praktikë kur të mbahen edhe zgjedhjet e ardhshme qofshin ato lokale apo edhe ato nacionale”.
“Nëse bëhet një veprim i tillë ku votat e Serbisë refuzohen dhe njerëzit që janë shpërngulur nga Kosova nuk mund të votojnë edhe pse kanë të drejtë me ligj, kjo nuk do t’i bënte mirë demokracisë në vend”, ka thënë ai.
Rashiq ka thënë se ankesa e tij ka ardhur për shkak që votat nga Serbia të mos bëhen precedentë të anulohen edhe në zgjedhjet e ardhshme.
“Ankesa ka qenë edhe pse ka dyshime që nuk kanë qenë të rregullta, them se nuk duhet të bëhet një precedentë në të cilin çdo votim i ardhshëm do të anulohet ose çdo votë që vjen nga Serbia duke përfshirë edhe kosovarë që jetojnë atje të anulohet. Ky është qëllimi kryesor dhe në aspektin e demokracisë në vend. Them se nëse refuzohen votat nga Serbia unë jam i sigurt se do të ketë pasoja në zgjedhjet e ardhshme që mund të mbahen në Kosovë”, ka thënë Rashiq për Gazetën Sinjëli.
Kujtojmë se me këtë vendim, i bie se koalicioni NISMA-AKR-PD do të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me Fatmir Limajn, Behxhet Pacollin, Endrit Shalën, Haxhi Shalën, Mirlinda Sopi Krasniqin dhe Albulena Balaj Halimajn.
Vetëvendosja do të ketë 3 deputetë më pak, LDK do të ketë 1 deputet më pak, PDK do të ketë 1 deputet më pak dhe AAK-PSD 1 deputet më pak./Gazeta Sinjali/