image Raportohet se është sulmuar një bazë ajrore ruse në Krime

Botë

Raportohet se është sulmuar një bazë ajrore ruse në Krime

news image

Një bazë ajrore e ushtrisë ruse në Krimenë e pushtuar raportohet se është sulmuar me raketa që kanë shkaktuar shpërthime dhe zjarr, raportuan mediat ukrainase dhe kanalet ruse në Telegram më 26 korrik.

Televizioni ukrainas, Suspilne, duke cituar banorët lokalë, raportoi për shpërthime në qytetin Saki dhe Jevpatoria të Kriemsë.

“Shpërthime shumë të fuqishme” janë raportuar nga banorët në Saki, që është shtëpi e një baze ajrore ruse.

Një kanal në Telegram nga Krimeja raportoi se një depo municionesh në një bazë ajrore është sulmuar me raketa, duke shtuar se si pasojë e sulmeve është shkatërruar një avion.

Kanali rus në Telegram, Astra, duke cituar burime të emergjencave në Krimenë e pushtuar, tha se një bazë ajrore dhe një depo municionesh janë sulmuar me raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS.

Ky kanal tha se si pasojë e sulmeve janë përhapur zjarre. Dy ushtarë rusë, sipas Astras, janë plagosur.

Astra po ashtu tha se raketat ATACMS goditën një sistem rus të mbrojtjes ajrore në Saki, duke shkatërruar një stacion radari.

Duke cituar burime të paidentifikuara, ky kanal në Telegram tha se katër raketa ATACMS u gjuajtën nga Ukraina, dy prej të cilave u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ruse, raporton Rel.

/GazetaSinjali/