Dy gra të komunitetit serb janë rrëmbyer në veri të vendit. Ato dyshohet se janë rrëmbyer nga agjentë sekret të Serbisë, kështu u raportua sot në media vendore, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas raportimeve, rrëmbimi i grave ka ardhur si pasojë e qërimit të hesapeve mes bandave kriminale serbe dhe interesave politike.
Mirëpo, për këtë incident po del të mos ketë informacione Policia e Kosovës.
Kështu ka konfirmuar për Sinjalin, drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në veri të vendit, Besim Hoti.
“Jo, në Polici në veri nuk kemi informacion të tillë”, u shpreh Hoti.
Ndryshe, që nga vendosja e nëntë barrikadave nga persona dhe grupe kriminale, situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, ku si pasojë e këtyre barrikadave dy pikat kufitare “Jarinje” dhe “Bërnjak” ende mbesin të mbyllura për qarkullim.
Policia e Kosovës ka thënë se situata e krijuar pas bllokimit të rrugëve dhe sulmeve të ndodhura nga grupet kriminale, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës e po ashtu kanë ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk po mund të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk po e kanë qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.