Gazeta Sinjali sot ka raportuar se një fëmijë rreth moshës 1-vjeçare ka humbur jetën në rrethana të dyshimta në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas trajtimit paraprak në Spitalin e Gjakovës, ku edhe dyshohet se iu dha një medikament i gabuar.
Sipas burimeve të Sinjalit, një mjek në Spitalin e Gjakovës i ka dhënë fëmijës një medikament të gabuar i llojit të “shurupit”, ku për pasojë fëmijës i është përkeqësuar gjendja akoma më shumë.
Gazeta Sinjali në momentin e raportimit për këtë ngjarje të rëndë ka kontaktuar edhe Policinë për konfirmimin e lajmit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Në anën tjetër, Sinjali ka tentuar që të marrë informacione më të hollësishme nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, duke insistuar disa herë të telefonojë zëdhënësin e QKUK-së, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Tashmë kur kanë kaluar rreth tre orë pas raportimit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka dalë më një njoftim zyrtar në Facebook në lidhje me vdekjen e fëmijës.
Në postim thuhet se 1-vjeçari është dërguar në Spitalin e Gjakovës mbrëmë rreth orës 21:00 në gjendje të rënduar shëndetësore, ndërsa në ora 21:40 është nisur për trajtim të mëtejshëm në QKUK, si rast emergjent.
“Sipas raportit të Klinikës Infektive, fëmiu, me autoambulancë është sjell në ora 22:50 në Klinikën Infektive, me gjendje shumë të rënduar, me diagnozë sepsis meningococica (infeksion i rëndë që kishte përfshirë krejt sipërfaqen trupore).
Nga mjekët kujdestar fëmiut menjëherë i ofrohet gjithë kujdesi i nevojshëm mjekësor dhe dërgohet në Repart për reagim të shpejtë, pa humbur kohë me procedura administrative në pranim. Fëmiu vendoset në oksigjeno-terapi, bazuar në protokollet mjekësore.
Përkundër masave reanimatore, gjendja e fëmiut vazhdimisht rëndohej edhe me rënie parametrave vital, ku në ora 23:40 përkundër kujdesit të vazhdueshëm, fëmiu vdes”, shkruhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Në njoftim po ashtu thuhet se 1-vjeçarit i është ofruar kujdesi i duhur dhe i nevojshëm si në Spitalin e Gjakovës, ashtu edhe në QKUK, por për shkak të gjendjes së rënduar nuk ka arritur të mbijetonte.