image Raportimi i Sinjalit/ Shefi i sigurimit të 'Zone Club' e konfirmon sulmin ndaj punëtorit

Siguri

Raportimi i Sinjalit/ Shefi i sigurimit të ‘Zone Club’ e konfirmon sulmin ndaj punëtorit

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot për një tentim vrasje që ka ndodhur në orët e mëngjesit te “Përroi i Njelmët”, në Prishtinë, ku një person, sigurimi i diskotekës ‘Zone Club’ është gjuajtur me kallashnikov derisa ishte në veturën e tij.

Ashtu siç raportoi Sinjali, edhe shefi i sigurimit të “Zone Club”, Valdrin Ramosaj e konfirmoi se rasti ka ndodhur derisa punëtori i sigurimit K.P., ka qenë duke u kthyer në shtëpi me veturën e tij, në momentin që është përballur me sulmuesit.

Ramosaj tha se ende nuk dihet motivi se pse ka ndodhur ky sulm, duke mos e përjashtuar mundësinë se ndoshta mund të lidhet me ndonjë person që sigurimi nuk e ka lejuar të hyjë brenda. Megjithatë, ai tha se shumë shpejt pritet të takohet me punëtorin në fjalë dhe të sqarojë në detaje atë se çfarë ka ndodhur.

Sinjali raportoi sot se viktima ka deklaruar para hetuesve policorë se dyshon se u gjuajt me armë nga një veturë ku dyshon se ishte një person të cilin s’e kishte lejuar të hyjë në diskotekë gjatë ditës së djeshme.

Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, me ç’rast ka gjetur disa gëzhoja të kallashnikovit. Përveç lëndimeve që ka pësuar viktima, edhe në automjetin e tij janë shkaktuar dëme nga sulmi me armë.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti “tentim vrasje” dhe të nisin hetimet për identifikimin e të dyshuarit dhe arrestimin e tij.

/GazetaSinjali/